Kuvendi letër zyrtarit të DASH, i kërkohet ndihmë për ngritjen e Komisionit për Dezinformimin

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla i ka dërguar një letër zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin për t’i kërkuar ndihmë në lidhje me ngritjen e Komisionit Parlamentar të Dezinformimit.

Ky Komision mori dakordësinë e Konferencës së Kryetarëve ditën e sotme dhe të enjten do të kalojë në parlament.

Nikolla fton zyrtarin e DASH të vizitojë parlamentin e Shqipërisë dhe të jap vlerësimin dhe eksperiencën e tij.

“I nderuar zoti Rubin.

Po ju shkruaj në lidhje me nismën e fundit të iniciuar nga një grup deputetësh për Krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të luftuar ndikimin e huaj, duke përfshirë dezinformimin. Konferenca e Kryetarëve miratoi sot vendimin e Parlamentit për të ngritur një Komision të tillë dhe e ka kaluar për miratim në seancën plenare.

Duke qenë se Shqipërisë i mungon kuadri i duhur për të trajtuar ndikime të tilla, unë do të doja që jo vetëm t’ju bëj një ftesë për të vizituar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, por komisioni do të përfitonte shumë nga përvoja dhe njohuritë tuaj të vlefshme kundër këtyre forcave.

Për më tepër, dëshiroj t’ju kërkoj që t’i drejtoheni Kuvendit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje. Fjala juaj do të ndihmonte të rriste ndjeshmërinë dhe do të inkurajonte bashkëpunimin në këtë çështje të rëndësishme.

Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj”, shkruan Nikolla në letrën drejtuar të Dërguarit Special dhe Kordinatorit për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit.


Shtuar 3.04.2024 18:08