Kuvendi i Kosovës miraton zgjatjen e masave emergjente për energji elektrike

Me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar kërkesën e Qeverisë për të zgjatur masat emergjente për furnizim me energji edhe për një muaj.

Partitë opozitare bojkotuan votimin e kësaj mase të Qeverisë, pasi paraprakisht seanca ishte shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit, për shkak se në të njëjtën kohë po mbaheshin mbledhjet e dy komisioneve parlamentare. Opozita ishte kundër shtyrjes së seancës, por kur rinisi seanca ata nuk morën pjesë në votimin për masat emergjente.

Të lidhura

None found

Ekzekutivi më herët ka thënë se zgjatja e masave emergjente bëhet për “normalizimin e plotë” të gjendjes me rrymë.

“Zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes së kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike”, thuhej në njoftimin e Qeverisë të marrë më 23 shtator.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se vendi do të përballet me një dimër të vështirë, për shkak të krizës së energjisë që ka mbërthyer Evropën – të shkaktuar nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës – dhe rritjes së çmimeve të importit të energjisë.

Në muajin gusht, kur Kosova u përball me reduktime të energjisë, Qeveria miratoi masat emergjente që përfshinin masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucione, ndalimin e përdorimit të rrymës për mihjen e kritpovalutave dhe mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT), që ky operator të ndërmarrë masat e duhura për të ofruar siguri të sistemit elektro-energjetik.

Ndërkaq më 20 shtator, ekzekutivi ndaloi eksportin dhe ri-eksportin e produkteve të drurit që përdoren si lëndë djegëse.

Autoritetet thonë se Kosova nuk mund të mbulojë kërkesën me rrymë gjatë dimrit me prodhimin e dy termocentraleve në Obiliq. Termocentralet Kosova A dhe B mund të prodhojnë rrymë deri në 800 megavat, por nevojat e konsumatorëve gjatë dimrit arrijnë deri në 1.300 megavat në orë./REL


Shtuar 3.10.2022 15:26