Kuvendi gati ta shkarkojë, por çfarë po bën Ilir Meta sot

Teksa Kuvendi do të marrë sot vendimin për shkarkimin ose jo të Presidentit, vetë Ilir Meta vazhdon i qetë axhendën e tij në presidencë.

Presidenti Meta është paraqitur në presidencë në orët e mëngjesit, teksa mësohet se do të jetë përgjatë gjithë ditës në zyrën e tij, nga ku dhe do të mësojë vendimin për postin e tij.

Presidenca vijon ndërkohë agjendën e saj normale, ku sot do të ketë dhe një aktivitet për sofrën dibrane, ku në oborr janë duke u vendosur dhe mjetet e nevojshme për të ftuarit.

Edhe kryeministri Rama ka arritur pak më parë në Rinas, kështu që do të jetë pjesë e seancës ku do të vendoset për shkarkimin e Metës.

Fillimisht në seancë do të ketë një lexim të raportit të Komisionit Parlamentar Hetimor për shkarkimin e presidentit dhe më pas do të kalohet në votim. Shkarkimi i Metës duhet të bëhet me shumicë të cilësuar, që nënkupton 94 vota, që për mënyrën si janë pozicionuar deputetët duket të jetë e thjeshtë për t’u arritur.

Në anën tjetër, Meta ka thënë se çdo vendim i marrë prej tij është nul, ndërsa shkarkimi pritet që të jetë një objekt shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese.

Shtuar 9.06.2021 10:06