Ilir Meta pasditen e sotme ka mbledhur Komitetin Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë.
“Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet”, tha Meta, i cili shtoi se sot “Shqipëria është një narkoshtet”.
Sa i përket situatës së tensionuar në Kuvend përgjatë muajve të fundit, ku opozita vazhdon aksionin për të bllokuar punimet e Parlamentit, Meta tha se Kuvendi është rrëmbyer nga qeveria.
Meta: Veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime.
Duke u ndalur te masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ ndaj liderit të opozitës, Meta tha se drejtuesit realë kërcënohen dhe shantazhohen.
Meta: Opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen.
Drejtësia, tha kreui i PL-së, “është kapur dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit dhe në shërbim të agjendave elektorale të tij.”
Meta: Dhe natyrisht që ky degradim demokratik ka prodhuar rrënim ekonomik dhe shpopullim dramatik të vendit. Sipas INSTAT, nga viti 2011 deri në vitin 2021 mesatarisht 41 mijë qytetarë kanë emigruar çdo vit. Në 10 nga 12 Qarqet e Shqipërisë kemi një zbrazje demografike. Ndaj edhe të dhënat e Censusit se sa shqiptarë kanë mbetur në Shqipëri po mbahen sekret.
Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se rreth 78% e totalit të aplikimeve për azil, janë nën moshën 34 vjeç, pra forca më aktive e vendit dhe shoqërisë. Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve.
Ai shtoi se PL beson që investimi në arsim është investimi më i mirë që mund të bëhet për vendin. Prandaj për këtë arsye Partia e Lirisë ka paraqitur 7 propozime konkrete për t’a rikthyer brenda një kohe të shkurtër arsimin në shinat e dijes, sipas Metës.