“Zgjohet” Kushtetuesja, hedh poshtë nenin për protestat

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar sot nenin 262 të Kodit Penal për protestat në Republikën e Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar sot zyrtarisht Kuvendit që në një periudhë 6 mujore të bëjë korrigjimin e nenit.

Kushtetuesja bën me dije se ky nen, nuk është i saktë dhe se me këtë ndryshim, organizatorët e protestave nuk duhet të marrin leje në Polici për të zhvilluar tubimet, por vetëm të bëjnë një njoftim mbi orën, vendin dhe mënyrën sesi do të zhvillohet tubimi.

Neni 262 që është sot në fuqi njeh si tubim të paligjshëm të gjitha organizimet që bëhen pa miratimin e Policisë së Shtetit, dhe këto tubime klasifikoheshin si kundravajtje penale duke u dënuar me gjobë ose me burg deri në 2 vite. Me këtë ndryshim edhe këto dy sanksione rrëzohen automatikisht dhe tashmë i takon Kuvendit të Shqipërisë të reflektojë ndryshimet brenda 6 muajve.

Ky vendim që hyn sot në fuqi, rrëzon poshtë të gjitha ndalimet që janë bërë në protestat e Astirit, Teatrit dhe kauzave të tjera, që janë cilësuar nga autoritetet si të paligjshme duke dërguar prapa hekurave dhjetra protestues.

 

Shtuar 5.05.2021 01:05