Kush janë fituesit dhe humbësit në mini-luftën e fundit midis Izraelit dhe Hamasit

Nga Judith Miller, The Hill

Sapo hyri në fuqi armëpushimi pas 11 ditë sulmesh me raketa dhe bombardime ajrore, Izraeli dhe Hamasi, nuk humbën aspak kohë për të pretenduar secili fitoren. Por është e vështirë të thuash se cilët ishin fituesit dhe humbësit në mesin e një masakre të tillë – sidomos në Gaza – dhe me shkatërrime të mëdha materiale.

Gjithsesi, disa politikanë dhe lojtarë duket se kanë përfituar në raundin e fundit të dhunës.

Ndërsa pasojat afatgjata mund të jenë të ndryshme, si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Hamasi militant islamik, duket se kanë dalë më të fortë nga konflikti se sa ishin më parë.

“Bibi është fitues, të paktën tani për tani”- thotë David Schenker, ish-ndihmës sekretar i Shtetit në SHBA për Çështjet e Lindjes së Mesme në administratën Trump. Lufta, thotë ai, e tërhoqi vëmendjen nga paaftësia e Netanyahut për të formuar një qeveri të re pas 4 palë zgjedhjeve të parakohshme në 2 vitet e fundit.

Zhvillimet e ditëve të fundit, e bëjnë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, që këtë gjë ta bëjnë rivalët e tij politikë. Për më tepër, konflikti bllokoi përkohësisht gjyqin e nisur ndaj tij me akuzat për korrupsion. “Kjo luftë i ka hapur rrugën zhvillimit të zgjedhjeve të pesta në vend”- shton Schenker.

Një tjetër fitues i qartë i përplasjes së fundit është Hamasi, thotë Eckart Ëoertz, drejtor i Institutit Gjerman për Studime Globale në Hamburg. Në kontrast me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, Hamasi ka qenë në gjendje ta paraqitë veten si “rojtare e interesave palestineze në Bregun Perëndimor, si dhe në mosmarrëveshjen brenda vetë palestinezëve”, deklaroi Ëoertz.

Organizata militante që gjuajti me raketa kundër Izraelit, është bërë gjithashtu mbrojtësja e vetëshpallur i Jeruzalemit, të cilin izraelitët dhe palestinezët e pretendojnë si kryeqytetin e tyre. Abbas ishte dobësuar tashmë shumë që nga vendimi i tij në muajin prill për të shtyrë zhvillimin e zgjedhjeve të para në Palestinë pas 15 vjetësh, për shkak se rrezikonte humbjen elektorale përballë Hamas edhe në bazën e tij elektorale në Bregun Perëndimor.

Edhe pse Hamasi klasifikohet si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa shtete arabe, kanë filluar të marrin në konsideratë mundësinë e zhvillimit të negociatave direkt ose indirekte me të. Pas armëpushimit të javës së shkuar, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cilësuar prej kohësh si një nga mbështetëset më të forta evropianë të Izraelit, tha se ishte i nevojshëm kontakti indirekt me Hamasin.

Disa media arabe e quajtën Abbas si “humbësin më të madh” në këtë konflikt. Por në kontrast të madh me Netanyahun, vetë Izraeli humbi jo pak, dhe për këtë bien dakord edhe disa nga mbështetësit e tij më të vendosur.

Analisti David Horovitz vuri në dukje në “Times of Israel”, se konflikti ka “e dëmtuar pozicionin ndërkombëtar të Izraelit, pasi shumë liderë botërorë, arritën në përfundimin se meqë Izraeli ka numrin më të ulët të viktimave, ai duhet të jetë edhe agresori”.

Doug Schoen, një ekspert i njohur amerikan i sondazheve, që ka kryer sondazhe për politikanët kryesorë izraelitë, mendon se kostoja diplomatike e luftës për Izraelin është shumë e lartë. Izraeli, përballet tani me dënimit e faktorin ndërkombëtar, për atë që kritikët e quajtën si një reagim “jo proporcionale” të tij ndaj lëshimit të raketave të Hamasit mbi qytetet izraelite.

Ndërkohë edhe ushtria e Izraelit, nxitoi të pretendonte arritjen e një fitoreje taktike. Zyrtarët izraelitë thanë se sulmet e saj ajrore vranë gati 30 komandantë të vjetër të Hamasit, dhe një nga ekspertët kryesorë të përfshirë në prodhimin e raketave, teksa shkatërruan gati një të tretën e rrjetit prej 350 km tunelesh dhe bunkerësh, përmes të cilave Hamasi lëviz luftëtarët dhe raketat.

Zyrtarët izraelitë, thanë se Hamasi ishte shtangur nga fakti se sa informacione kishte  inteligjenca izraelite mbi vendndodhjen dhe përmbajtjen e rrjetit të tuneleve. Por pavarësisht aftësive mbresëlënëse të shërbimeve sekrete së Izraelit, disa analistë ushtarakë thonë se Hamasi, Xhihadi Islamik dhe militantët e tjerë, kanë ende rreth 8.000 nga arsenali i tyre i dikurshëm prej 30.000 raketash, si dhe disa qindra raketahedhës.

Të dyja palët në këtë konflikt, i kanë i “mbivlerësuar shumë arritjet e tyre”, thotë Aaron David Miller, analist dhe negociator amerikan në Lindjes së Mesme. “Edhe pse Hamasi arriti të lidhë Gazën me Jeruzalemin, as ai dhe as Izraeli, nuk kanë arritur diçka që e ndryshon rrënjësisht bilancin e fitimeve apo humbjeve për secilin prej tyre”- thekson ai.

Hamasi, thekson Miller, mund ta ketë forcuar pozicionin e tij, por Autoriteti Kombëtar Palestinez dhe Abbas, sado të dobësuar që mund të jenë, “mbeten adresa kryesore e bashkëpunimit me Izraelin në Bregun Perëndimor, dhe për gjithçka tjetër që lidhet me procesin e paqes”.

Për shkak të kësaj, Miller parashikon që SHBA-ja dhe vendet e tjera, do të marrin masa për të forcuar pozitat Autoritetin Palestinez. Ndërkohë ky konflikt minoi pretendimet e ish-administratës Trump, se me Marrëveshjet Abrahamike ajo ndihmoi në negociatat për paqe.

Në 14 vitet e fundit, që kur Hamasi mori kontrollin e plotë të Gazës, ka pasur 4 mini-luftëra midis Izraelit dhe palestinezëve.

Më shkatërruesja ishte ajo e vitit 2014, kur u vranë 2.200 palestinezë dhe u shkatërruan 170.000 shtëpi. “Por asgjë nuk ndryshoi pas vitit 2014, ndaj edhe rezultati i vetëm i mundshëm i kësaj përleshje të fundit, është se do të ketë me siguri më shumë mini-luftëra të tjera”- thekson Miller./abcnews.al

Shtuar 24.05.2021 11:58