Kush i jep lejet e plazhit? Artan Hoxha: Procedura dhe si mund të ishte shmangur masakra

Konflikti për shezlongët dy ditë më parë tronditi Velipojën dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbetën katër të vdekur. Por cfarë po ndodh me lejet për hapësirën e plazhit? Kush i jep lejet tani? Si ka qenë procedura më parë? Cila është përgjegjësia e pushtetit vendor dhe atij qendror?

Të gjitha këtyre pyetjeve iu dha përgjigje gazetari investigativ Artan Hoxha mbrëmjen e sotme i ftuar në studion e “Log.” në ABC. Hoxha u shpreh se kakofonia filloi pasi u krijua Agjencia për Bregdetin që kaloi menaxhimin nga bashkitë te qeveria.

“Kjo është një nga ato ngjarje që të lë pa tekst, motivi…Unë kam parë sot kolegë që kanë përmendur dhe ia kanë vendosur fajin Voltanës (kryetarja e bashkisë Shkodër) dhe kam thënë se kjo mund të ketë 100 probleme të tjera, por nuk është përgjegjësia e kryetares së bashkisë Shkodër.

Kam pasur shumë denoncime. Deri para dy vitesh hapësira bregdetare e Shqipërisë është një sipërfaqe prej 325 km dhe janë gjithsej 118 plazhe nga jugu në veri që kanë qenë të administruara nga bashkitë.

Këto mijëra biznese administroheshin nga pushteti vendor, me një vendim të çuditshëm, më thanë që është marrë përvoja e Malit të Zi, në Shqipëri u krijua një agjenci brenda Ministrisë së Turizmit dhe aplikimin që të gjitha bizneset e bënin pranë bashkive, tani duhet bërë te e-Albania.

Sipërfaqet duhet të jepeshin deri në fund të marsit, që në prill, maj të ishin gati, por jemi në fund të qershorit dhe nga e-Albania një pjesë të bizneseve nuk u ka shkuar asnjë njoftim. Bizneset janë përpjekur që të ruajnë të njëjtën hapësirë që kishin, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Velipojë, familja Gocaj ka kërkuar të ruajë hapësirën që kishte, por Ferracaku ka thënë kemi aplikuar ne.

Kur aplikonin në bashki paguanin taksën, vinte inspektori bënte piketimin dhe thoshte “vazhdoni punën” dhe problematikën e ndiqte policia bashkiake, tani duhet të aplikosh te e-Albania dhe njoftimi i dërgohet biznesit dhe pushtetit lokal, që i shkojnë taksat.

Pushtetit vendor iu hoq me argumentin se ka korrupsion. Por në rastin konkret bashkia pasi njoftohet për lejet bën matjen për të përcaktuar sa shezlongë do të ketë. Nëse do të kishte qenë në pushtetin lokal kjo mund të ishte evituar” tha ai.

Nga përplasja me armë mbetën të vdekur Kujtim Ferracaku 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe jetimi fatkeq Musaen Zeneli 20 vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend.

 

Nga përplasja me armë u plagosën edhe Hasan Ferracaku, vëllai i biznesmenit që u vra dhe nipi i tij Elmedin Tyli. Dy të plagosurit u arrestuan për ngjarjen, ndërsa në kërkim janë shpallur tre vëllezër; Abedin, Shyqyri dhe Besar Verracaku, banues në fshatin Pulaj, të dyshuar si bashkautorë në krim./Abcnews.al


Shtuar 28.06.2021 21:32