Kush është lideri i vetëm botëror që nuk dëshiron të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth

Udhëheqësit dhe monarkët nga e gjithë bota do të marrin pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth në Londër. Në fakt, sipas Guardian, disa tashmë kanë konfirmuar praninë në “lamtumirën” e fundit për monarkun më jetëgjatë të Mbretërisë së Bashkuar.

Funerali, i cili pritet të  bëhet më 19 shtator në të njëjtën kishë ku u kurorëzua mbretëresha në vitin 1953, do të tërheqë presidentë, kryeministra, mbretër dhe mbretëresha, si dhe turma të mëdha nga brenda dhe jashtë vendit.

Presidenti i SHBA Joe Biden, i cili në mesazhin e tij e përshkroi Mbretëreshën si “një prani të vazhdueshme dhe një burim ngushëllimi dhe krenarie për brezat e britanikëve”, konfirmoi se do të ishte në mesin e liderëve botërorë për të bërë homazhe personalisht.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka treguar gjithashtu synimin e tij për të marrë pjesë. Ai u tha gazetarëve të premten se e njihte mbretëreshën dhe e kishte takuar dy herë në Pallatin Buckingham. “Nëse na jepet rasti do të donim të ishim të pranishëm në këtë ceremoni”, tha ai.

Anëtarët e familjeve mbretërore të Evropës, nga vende si Spanja, Belgjika, Norvegjia, Danimarka, Suedia dhe Holanda, do të udhëtojnë gjithashtu për funeralin e Mbretëreshës.

Të paktën një udhëheqës, i cili, do të shpallë me zë të lartë mungesën e tij, Vladimir Putin. Edhe pse marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë janë dëmtuar rëndë nga pushtimi i kësaj të fundit në Ukrainë, Vladimir Putin i ka shprehur ngushëllimet e tij mbretit Charles.

“Për shumë dekada Elizabeth II gëzonte me të drejtë dashurinë dhe respektin e subjekteve të saj, si dhe fuqinë në skenën botërore”, tha Kremlini në një deklaratë. “Rusët e respektuan atë për mençurinë e saj”, por prania e Putinit në funeral “nuk duhet të merret parasysh”, shtohet në deklaratë.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri sot një vizitë të paplanifikuar në ambasadën britanike në Paris për të nënshkruar një letër ngushëllimi për Mbretëreshën, por pjesëmarrja e tij në funeral deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ndërkohë, Bob Broadhurst, ish-shefi i policisë së Metropolitane, tha se funerali pothuajse me siguri do të përfshinte operacionin më të madh të sigurisëe cila është vërejtur në Mbretërinë e Bashkuar.

Më shumë se 8,000 të ftuar morën pjesë në Westminster Abbey për kurorëzimin e Mbretëreshës në qershor 1953, hera e parë kur kurorëzimi i një monarku të ri u transmetua në televizion./albeu.com