Kush është Eldi Hoxha që në mëngjes u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Bashkinë e Tiranës dhe në darkë u prangos nga SPAK si kontrabandist cigaresh

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zbuloi se babë e bir Ilir dhe Darjo Jashari, drejtonin një skemë të madhe kontrabande cigaresh, ku të përfshirë janë zyrtarë doganorë, biznesmenë dhe shtetas të huaj.

Për 15 persona është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa 21 masat e tjera janë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Referuar njoftimit të SPAK, mësohet se një nga personat për të cilët është zbatuar masë sigurie është dhe Eldi Hoxha, i cili më 28 Maj 2025 është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që në të njëjtën ditë në mbrëmje, ndaj tij është zbatuar urdhër-arresti.

Albeu.com mëson se Eldi Hoxha më parë (nga muaji nëntor 2020) ka mbajtur postin e shefit të Departamentit Operativ Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, dhe është denoncuar disa herë në media për shkelje të rënda në Dogana duke favorizuar biznese të ndryshme.

Gjithashtu, Eldi Hoxha, është një nga pjesëmarrësit e grupit të ‘Çunave problematikë’ të ‘tërmetit të Gjiknurit’ në dosjen 184 në Dibër.

Sipas njoftimit të SPAK, ndaj Eldi Hoxhës janë caktuar dy masa sigurie, “Ndalimi i daljes jashtë shtetiť” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore.”

18. Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetiť” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Proçedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim Eldi Hoxha, i biri i Vladimir dhe Elvira, i datëlindjes 05.10.1982, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i martuar, me numër personal 121005149F, me adresë banimi: rruga “Barrikadave”, Nd. 32, H.1, kati 8-të, Njësia Administrative Nr. 9, Tiranë: i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, i parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal.

18.1. Urdhërohet personi nën hetim Eldi Hoxha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233, pika 1 të K.Pr. Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

18.2. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Eldi Hoxha.

18.3. Urdhërohet personi nën hetim Eldi Hoxha që të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore z. Julian Marko pranë Byros Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të muajit, ora 12.30.

Gjithçka lidhet me një skemë të madhe kontrabande cigaresh. Personat e dyshuar kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas ato të BE-së.

Grupi i struktuar kriminal, në më shumë se 30 (tridhjetë) raste ka ndryshuar destinacionin dhe më pas shkarkuar ngarkesën e destinuar për firmën porositëse në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore. /albeu.com/


Shtuar 30.05.2025 06:27