Të tjera detaje kanë dalë pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Sipas burimeve mësohet se Jeton Lami, oficeri që shoqëronte Martinajn, pasi është vënë në dijeni përmes një videoje duke shoqëruar Ervis Martinaj dhe se ndaj tij kishte një vendim arrestimi, ai ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano.
Takimi që ka zgjatur 2 orë e 30 minuta, është zhvilluar kokë më kokë në zyrën e kreut të policisë, Gledis Nano.
Pikërisht në këtë takim, Jeton Lami, mësohet të ketë informuar Nanon për fatin e Ervis Martinaj, arsyet pse e shoqëronte të kërkuarin e SPAK me makinë dhe njëherësh ka treguar punonjës të tjerë policie, që Martinaj kishte kontakte.
Jeton Lami, i ka pohuar Gledis Nanos plot 12 drejtues të lartë policie, që janë ende në detyrë dhe ish-detyrë, të cilët kanë mbajtur kontakte dhe ndihmuar Ervis Martinaj.
Gjithashtu mësohet se për emrat e drejtuesve të lartë të policisë, është informuar dhe një ambasadë mike në Shqipëri. Disa prej këtyre 12 emrave janë në Drejtorinë Qëndrore të Policisë, ndërsa disa kanë shtrirje në qarqe.
Nga sa mësohet Nano, i ka kërkuar Jeton Lamit që rrëfimi i tij të merret me procesverbal në mënyrë që të kishte efektin e provës proceduriale.
Por Jeton Lami s’ka pranuar propozimin e Nanos, për arsye sigurie. Lami sot mbahet në burgun e “Shën Kollit” në Lezhë, dhe deri në këtë fazë akuza ndaj tij është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.
Ndërsa Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, është shkarkuar nga detyra.
Para se t’i kërkohej dorëheqja dhe më pas të largohej me shkarkim, Gledis Nano, ka zhvilluar një takim me ministrin Bledi Çuçin, duke e vënë në dijeni mbi përmbajtjen e dëshmisë së oficerit të arrestuar Jeton Lamit dhe emrave të zyrtarëve të lartë të policisë që ai i ka treguar.
Tre ditë pas këtij takimi, ministri Çuçi ka thirrur në zyrë Gledis Nanon, duke i kërkuar dorëheqjen për shkak të ngjarjeve kriminale, besimit jo të mirë të publikut tek policia dhe arsye të tjera.
Nano kë këmbëngulur për të mos dhënë dorëheqjen, duke refuzuar të largohet. Por pozicioni i tij i punës është zgjidhur me shkarkimin zyrtar që i bëri ditën e mërkurë kryeministri Rama.