Kush do e zëvendësojë Zaevin në takimin e Beogradit për “Ballkanin e Hapur”?

Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë bërë me dije se kush do e zëvendësojë ish-kryeministrin Zoran Zaev në takimin për “Ballkanin e Hapur”.

Sipas burimeve të mediave atje, do të jetë zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov, që do të marrë pjesë në vend të Zoran Zaev në takimin që do mbahet nesër dhe pasnesër në Beograd, në kuadër të iniciativës për bashkëpunim rajonal “Open Balkan”.

Agjenda për këtë takim që organizohet nga Këshilli Atlantik, përfshin edhe panel diskutimi me temë “Transformimi digjital si dorë ndihmëse për integrimin rajonal”, në të cilën do të ketë përfundime dhe më pas do të mbahet konferencë për shtyp.

Dje presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç vuri në dyshim zhvillimin e takimeve në Beograd, pasi në një postim në Facebook u shpreh se, “mbështetje e fortë Open Balkan. A duhet të mbajmë apo shtyjmë një takim në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”.

Open Balkan është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të angazhohen./albeu.com/