Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e cilëson idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë si një zgjidhje potenciale për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, por thotë se zgjidhja është zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit”, tha Kurti, gjatë një vizite në Prizren.
“Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer [të drejtë] e të balancuar. Kjo duhet të bëhet, dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, shtoi ai.
Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili mbështeti këtë ide.
“Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, tha Michel më 29 qershor.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar në shkurt të këtij viti në Bruksel për një Marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve. Më pas, në mars në Ohër, ato janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit.
Por, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka shtuar situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe. Tash e një muaj, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Protestat e tyre janë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR. Ka pasur, po ashtu, disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë.
Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën.
BE-ja, më herët, ka dalë me një plan për uljen e tensioneve, i cili, mes tjerash, përfshin shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës nga zona. Plani kërkon, po ashtu, nga Serbia që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja eventuale. Komuniteti serb i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit.
Punonjësit serbë të një spitali gjatë një marshimi protestues në komunën e Zveçanit, në veri të Kosovës, ndërsa paqeruajtësit kujdesen për ruajtjen e sigurisë, 19 qershor 2023.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por, siç ka thënë, brenda kornizave ligjore të shtetit.
Kurti vazhdimisht këmbëngul se “nuk mund të bëjë kompromise me republikën demokratike”. /REL