Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një drekë pune ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Zyra për shtyp e kryeministrit njoftoi se në këtë drekë është biseduar për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Kurti me Dendias ka folur edhe për perspektivën evropiane të Kosovës “dhe aspiratat për integrimin e mëtutjeshëm në organizatat ndërkombëtare”.
“Poashtu, u bisedua për çështjet aktuale, zhvillimet rajonale, si dhe perspektivën zhvillimore dhe integruese të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti theksoi perspektivën evropiane të vendit tonë, si dhe aspiratat e Republikës së Kosovës për integrimin e mëtutjeshëm në organizata ndërkombëtare.