Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Kosova ka nisur t’ua hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, në kuadër të marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.
Ai i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik në Bratisllavë.
“Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’ua hapim rrugëve zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë, për shtensionim të situatës”.
As of last week, we’ve reduced the presence of @Kosovo_Police by 25% in the 3 northern municipal buildings. Now we are starting to pave the way for early elections. ?? is already implementing in good faith the arrangement with the EU/EUSR on de-escalation reached in Bratislava.
— Albin Kurti (@albinkurti) July 18, 2023
Një ditë më parë, Kurti është takuar me Lajçakun në Kretë të Greqisë, dhe kryeministri ka thënë se palët kanë diskutuar për këtë temë.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.
Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.
Mirëpo, më 11 korrik Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Për shkak të mosdëgjimit të këshillave të faktorit ndërkombëtar për dhënie fund të krizës, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja.
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.