Kurti në Vjenë kërkon sërish që Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Vjenë, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zotohen për mos-sulmim.

Kurti në këtë Samit ka theksuar katër pika, ku ndër tjerash ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ai po ashtu ka kërkuar nga BE-ja që të hiqen vizat për Kosovën.

“Të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në”, tha mes tjerash Kurti.

Kryeministri kosovar këto kërkesa ia ka parashtruar edhe bashkëbiseduesit të tij në Bruksel, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. /Zëri

Shtuar 18.06.2021 18:20