Kurti në Berlin: Edhe pas 25 viteve, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit, ku diskutohej për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, energjinë dhe lidhshmërinë.

Gjatë fjalimit të tij, ai adresoi disa çështje kyçe për të ardhmen klimatike dhe energjetike të Kosovës.

Kurti theksoi se Kosova po përballet me pasojat e krizës klimatike, duke përmendur verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, shoqëruar me thatësira dhe mungesë të rezervave ujore.

Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të siguruar një tranzicion të drejtë drejt një të ardhme të qëndrueshme.

“Kosova synon të bëhet neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050,” deklaroi Kurti, duke nënvizuar se ky objektiv mbështetet nga ligje të reja mbi ndryshimet klimatike dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme.

Ai përmendi një pako investimi të lëshuar vitin e kaluar prej 950 megavatësh në burime të ripërtëritshme, përfshirë projekte për energjinë nga era dhe dielli.

Pavarësisht rezervave të mëdha të linjitit që Kosova ka, Kryeministri bëri të qartë angazhimin për të ulur emetimet e gazrave serrë me 36% deri në vitin 2030, duke lënë rezervat e linjitit nëntokë.

Ai theksoi se për të përballuar sfidat klimatike, Kosova ka nevojë për mbështetje të konsiderueshme financiare, me një nevojë totale prej 2.8 miliardë euro për investime në qëndrueshmërinë klimatike.

Kurti gjithashtu shprehu shqetësimin për mungesën e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të financimit klimatik, duke thënë se mbështetja globale është jetike për tranzicionin e Kosovës drejt një ekonomie të gjelbër.

Në fund, Kryeministri përmendi se përkundër përpjekjeve të mëdha për rritjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme, Kosova ende përballet me pengesa në fushën e lidhshmërisë ajrore, për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore nga Serbia për fluturimet komerciale.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe synimeve të saj ambicioze për qëndrueshmëri klimatike.

Megjithatë, sipas Kurtit, financimi ndërkombëtar është thelbësor për arritjen e këtyre qëllimeve dhe për realizimin e tranzicionit të gjelbër të vendit.

 


Shtuar 14.10.2024 17:50

Tags: ,