Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se e vetmja alternativë për dialog konstruktiv me Serbinë, është njohja e Kosovës nga kjo e fundit.
Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, Viola von Cramon.
Liberalizimi i vizave për Kosovën, zgjedhjet lokale që mbahen të dielën, operacioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe dialogu Kosovë-Serbi ishin disa nga temat kryesore të bisedës.
Kurti falënderoi europarlamentarët për angazhimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe tek pesë vendet mos njohëse, për përkrahjen dhe votimin për liberalizimin e vizave dhe për mbështetjen me vaksina përmes COVAX.
“Zgjedhjet parlamentare kanë sjellë stabilitet institucional dhe legjitimitet demokratik që ka rezultuar me rritje të besimit në institucione e për rrjedhojë edhe zhvillime tjera pozitive sikurse rritja ekonomike, rritja e të hyrave dhe e investimeve, tregues të qartë të efekteve pozitive të ndryshimeve demokratike që erdhën nga zgjedhjet e 14 shkurtit, tha Kurti.
Ai shprehu besimin që edhe zgjedhjet lokale nesër do të zhvillohen paqësisht dhe me pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
Lidhur me operacionin e policisë së Kosovës në veri, Kurti shpjegoi se ishte operacion kundër kontrabandës dhe kriminalitetit dhe përfshinte 26 lokacione të ndryshme në gjithë territorin, 5 nga to në Mitrovicën Veriore.
“Ky ishte një operacion normal dhe i nevojshëm i policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore”, tha ai./albeu.com