“Kurti dëshiron të rrëzojë nga pushteti Ali Ahmetin”/ Talat Xhaferi i kundërpërgjigjet Vuçiçit: Propagandë kundër arritjeve të shqiptarëve

Ditën e sotme, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, komentoi deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se “kryeministri i Kosovës Albin Kurti po tenton të rrëzojë nga pushteti BDI-në dhe Ali Ahmetin”.

Xhaferi u shpreh se kjo deklaratë është tendencioze kundër BDI-së dhe ka për qëllim të dëmtojë shqiptarët në Maqedoni.

“Fakti i ndërhyrjeve nuk mund të përkufizohet vetëm te Vuçiçi, fatkeqësisht ka mjaft ndërhyrje siç mund ta përcillni nga mediat. Është tendencë e koordinuar kundër BDI-së, por jam i bindur që qytetarët mund t’i definojnë qartë këto elemente dhe kjo është propagandë gjoja kundër BDI-së, por në esencë është kundër arritshmërive të shqiptarëve si popull këtu. Ajo që propagandohet se gjoja po na dilka zot Vuçiçi, mendoj se e kanë të qartë edhe fëmijët në djep se cili është qëllimi i fundit i kësaj përpjekje”, tha Xhaferi.

Kujtojmë se pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, në të cilën u diskutua për situatën në Kosovë pas ndalimit të dinarit serb, Aleksandar Vuçiç në një deklaratë për mediat amerikane tha se kryeministri Albin Kurti po ndërhyn në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Vuçiçit, Kurti dëshiron të rrëzojë nga pushteti Ali Ahmetin dhe BDI-në.