Kurti mbërrin në Kroaci (FOTO LAJM)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur të dielën në mbrëmje në Kroaci, bashkë me disa ministra të kabinetit të tij qeveritar, për të vizituar të plagosurit dhe familjarët e viktimave të një aksidenti me autobus në Sllavonski Brod.

Si pasojë e aksidentit, që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit më 25 korrik, kanë vdekur 10 persona, ndërsa mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Zyrtarët e Kosovës janë pritur nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, si dhe ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman.

Bashkë më Kurtin në Kroaci janë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela. /rel


Shtuar 25.07.2021 20:17

Tags: ,