Kur do të mbarojë Pandemia? Shkencëtarët rishikojnë parashikimet pas shfaqjes së “Omicron”

Shkencëtarët janë duke rishikuar parashikimet e tyre për pandeminë e Covid-19 për vitin e ardhshëm ndërkohë që varianti Omicron është shfaqur tashmë Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Vetëm pak javë më parë, ekspertët parashikuan se shtetet do të fillonin të dilnin nga pandemia në vitin 2022, pas rigjallërimit të shkaktuar nga variantet Alfa, Beta, Gamma dhe Delta.

Vendet e para që do të dilnin nga pandemia do të ishinato shtete që kishin kombinuar nivele të larta të ekspozimit të popullsisë ndaj virusit përmes infeksionit dhe nivele të larta dhe mbrojtjes së popullsisë përmes vaksinimit.

Në këto zona, Covid pritej të shndërrohej në një sëmundje endemike, ndoshta me shpërthime më pak të rënda periodike ose sezonale. Vaksinat, të cilat ishin të disponueshme për pjesën më të madhe të vitit 2021 në vendet e pasura, do të arrijnë shumicën e popullsisë së botës vitin e ardhshëm.

Por përhapja e shpejtë e variantit shumë ngjitës Omicron, i cili u zbulua në fund të nëntorit, dhe aftësia e tij potencialisht më e madhe për të riinfektuar njerëzit sesa paraardhësit e tij, minojnë shpresat që pandemia të marrë fund së shpejti.

Tashmë, shumë vende po i kthehen masave që janë përdorur në fazat e mëparshme të pandemisë: kufizime të udhëtimit, përdorimi i maskave, shmangia e tubimeve të mëdha gjatë festave.

Megjithëse nuk jemi kthyer në fillim të saj, shumica e njerëzve do të duhet të vaksinohen ose të ekspozohen ndaj Covid për të kapërcyer pandeminë, thanë ekspertët e sëmundjeve infektive për Reuters.

“Njerëzve u ka ardhur në majë të hundër nga pandemia dhe Zoti e di vetëm se si jam ezauruar dhe unë, por nëse nuk arrijmë t’i shtyjmë udhëheqësit tanë të ndërmarrin veprime urgjente, atëherë duhet kuptuar se viti 2022 do të jetë një përsëritje e vitit 2021,” thotë Dr. Angela Rasmussen. , virologe e Organizatës së Vaksinave dhe Sëmundjeve Infektive të Universitetit të Saskatcheëan, Kanada.

Edhe pse Covid po zhvillohet në një sëmundje më endemike, variante të reja do të shfaqen dhe rikthimet sezonale do të ndodhin në vitet e ardhshme. “Do të ketë gjithmonë një numër rastesh Covid, shtrime në spital dhe vdekje,” tha Dr. Amesh Adalja, një specialist i sëmundjeve infektive në Qendrën për Sigurinë Shëndetësore Johns Hopkins. “Shumë njerëz nuk e kanë kuptuar këtë.”

Shpresa është që virusi të dobësohet në një pikë ku nuk do të prishë ritmin e jetës. Por të jetosh me Covid-19 nuk do të thotë që virusi nuk është më një kërcënim.

Në vend të kësaj, njerëzit duhet të përgatiten dhe të përshtaten kur të shfaqet varianti tjetër, thotë Dr. Tom Frieden, ish drejtor i Qendrës së SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). “Mund të jetë e nevojshme të përcaktohet në momente të caktuara se është më e sigurt të bësh disa gjëra sesa në raste të tjera.”

Nga Pandemia në Endemi

Disa shkencëtarë nuk janë plotësisht të gatshëm të heqin dorë nga shpresa se disa pjesë të botës do të dalin nga pandemia vitin e ardhshëm. Më shumë se 270 milionë njerëz janë infektuar me Covid, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe rreth 57% e popullsisë së botës ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, e cila ofron mbrojtje të mundshme që nuk ekzistonte dy vjet më parë.

“Edhe nëse ky imunitet nuk është aq i lartë ndaj Omicron, nuk do të thotë se është i padobishëm. Dhe ky imunitet është më efektiv kundër simptomave serioze sesa kundër transmetimit,” tha Dr. David Doëdy, një epidemiolog në “Johns Hopkins”.

Deri më tani, shumica e studimeve që verifikojnë efektivitetin e vaksinave Omicron janë fokusuar në neutralizimin e anti-trupave, të cilët janë gjithashtu më të lehtë për t’u matur. Rezultatet e analizave të gjakut nga persona të vaksinuar plotësisht tregojnë se Omicron ka mësuar të heqë qafe anti-trupat neutralizues të prodhuar nga vaksinat.

Por është konstatuar që një dozë vaksine përforcuese e rikthen mbrojtjen.

Në nivelin e imunitetit qelizor, duket se limfocitet T mbeten në gjendje të njohin variantin Omicron dhe ta luftojnë atë. Shumë ekspertë besojnë se kjo linjë e dytë e mbrojtjes do të parandalojë shtrimin në spital dhe vdekjen.

“Ka ende shumë njerëz që kërcënohen sepse janë ende të pavaksinuar”, thotë Dr. Celine Gounder, një specialiste e sëmundjeve infektive në Universitetin e Nju Jorkut. Kjo është një nga arsyet pse ajo beson se do të kalojë edhe pak kohë para se t’ja hedhim pandëmisë.

Ndërkohë, të jetosh me COVID në 2022 ndoshta do të nënkuptojë vlerësimin e rreziqeve lokale dhe mbrojtjen individuale përmes vaksinimit, përdorimit të maskave dhe mbajtjes së distancës.

“Kur bëj pazar pasdite, më ndihmon të njoh nivelin e Covid në komunitetin tim,” tha Dr. Robert Ëachter, president i Departamentit të Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.

“Nuk do të ketë një fazë pandemie. Do të ketë faza të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe për zona të ndryshme. Dhe do të vazhdojë të jetë kështu për të ardhmen e parashikueshme.”/Abcnews.al


Shtuar 17.12.2021 17:26