Në lulëzimin e saj turistik, ku shumë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet, të pakët janë ata të cilat kanë zgjedhur të akomodohen në hotele, bujtina apo dhe apartamente. Sipas Institutit të Statistikave në muajin qershor nga 1 milionë e 7 mijë të huaj që zgjodhën vendin tonë, vetëm 17.8% u akomoduan, raporton A2CNN.
“Jemi një vend mesdhetar që duhet ta shfrytëzojmë pozicionin tonë. Por jemi edhe në mes të konkurrentëve më të mëdhenj turizmit botëror si Italia, Greqia, Spanja, Portugalia. Një mirëmendim i ofertës turistike është e rëndësishme”, shprehet Blerina Ago, eksperte e turizmit.
Megjithatë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, INSTAT raporton një rritje të akomodimeve të turistëve. Jugu mbetet destinacioni i preferuar me 2.5 herë më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky tregues në zonat bregdetare është rritur 75%. Por të shumtë janë dhe ata turistë të cilët preferojnë të qëndrojnë në rajonin qendror.
“Shumë destinacione të turizmit tanimë flasim për qëndrueshmëri. Ku turistët janë të prirur të qëndrojnë më gjatë dhe shpenzojnë më tepër. Sigurisht që kemi shumë punë për të bërë për përmirësimin e ofertës turistike”, thotë ekspertja.
Treguesi i netqëndrimeve është rritur me 52,8 %, në krahasim me qershorin e vitit të shkuar. Dyfishimi ka ndodhur pothuajse në të gjitha rajonet, përveç veriut i cili shënon një ulje të lehtë. Sa i takon shtetësisë së vizitorëve INSTAT raporton se përveç shqiptarëve të Kosovës që historikisht kanë shifrën më të lartë, polakët janë ata që kryesojnë nga vendet e BE-së me 9.2 %, italianët me 8.3 për qind dhe më pas vijnë Gjermania me 7 % dhe Spanja me 4.3 %.