Kthyen lokalin në “shtëpi bari”, arrestohen dy persona në Malësi të Madhe, nën hetim pronari dhe katër punonjës të OSHEE

Strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e siguruara për përshtatjen e një ambienti për kultivimin e bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Culaj”.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll të befasishëm në Rrugën e Culajve, në Malësi të Madhe, në biznesin (bar-restorant-hotel), në pronësi të shtetasit F. E., i cili ia kishte dhënë me qira këtë ambient, shtetasit K. N.

Gjatë kontrollit rezultoi se shtetasi K. N., në bashkëpunim me shtetasin A. S., e kishte përshtatur këtë ambient për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa, me anë të llambave.

Në katin e parë dhe të dytë të godinës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 300 bimë të dyshuara narkotike, të kultivuara në vazo, 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 230 llamba me stabilizator.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ambientit është konstatuar edhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasit K. N. dhe A. S., të cilit kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ambientet e biznesit (bar-restorant-hotel), në pronësi të shtetasit F. E.

Në vijim të veprimeve hetimore u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. E., 44 vjeç, banues në fshatin Çulaj, Malësi e Madhe, Shkodër, i cili i kishte dhënë me qira shtetasit K. N., ambientet në pronësi të tij.

Gjitashtu u proceduan penalisht në gjëndje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, 4 punonjës të OSHEE-së, shtetasit:

T. Zh., 45 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër, koordinatori i zonës; S. H., 58 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, shefi i ekipit të OSHEE-së; G. B., 52 vjeç, banues në fshatin Çesme, Malësi e Madhe, elekticist pranë OSHEE-së; R. B., 22 vjeç, banues në Malësi të Madhe, lexues i aparatit matës.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 29.03.2022 11:23