Kryeministri Rama: Librat falas, mbështetje për familjet

Këtë vit, më shumë se 238 mijë nxënës do të përfitojnë libra falas, falë një buxheti prej mbi 9 milionë dollarë të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale momente nga shpërndarja e librave falas, nismë që synon të lehtësojë barrën financiare për mijëra familje shqiptare.

“Me mirënjohjen e prindërve dhe gëzimin e fëmijëve që këto ditë të fundit para fillimit të vitit të ri shkollor po marrin librat falas, falë financimit të qeverisë me një mbështetje direkte për familjet”, u shpreh Rama.

Nga ana e tyre prindërit vlerësuan se nisma e librave falas është një lehtësim për buxhetet e tyre familjare.

“Jam prind i dy fëmijëve binjakë dhe përtej misionit tim si mësuese kam ardhur sot në rolin e prindit për të bërë tërheqjen e librave. Falënderojmë për nismën që është marrë për librat falas sepse është një lehtësim i madh për buxhetin tonë familjar”, u shpreh një prind.

Po ashtu, falë kësaj nisme 12 500 nxënës të gjimnazeve marrin librat falas.

“Jam e kënaqur pasi im shoq gëzon statusin e Kemp-it dhe të tre fëmijët çdo vit i kanë marrë librat falas. I kam ruajtur dhe çdo vit i kam sjellë që t’i marri dikush”, u shpreh një tjetër prind.

Janë rreth 227 mijë nxënës nga klasa I deri në klasën IX që do të pajisen me tekste falas dhe rreth 12,500 nxënës nga klasa e dhjetë, deri në klasën e dymbëdhjetë që i përkasin kategorive të caktuara të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas.

Ky program i mbështetjes së librave falas, është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.

Shpërndarja e librave, do të vazhdojë sipas një grafiku të caktuar në koordinim me mësuesit dhe prindërit, duke siguruar që të gjithë nxënësit të marrin tekstet e tyre në kohë.


Shtuar 6.09.2024 09:55