Kryeministri i Spanjës thirrje Shteteve Perëndimore/ Të njihet shteti Palestinez

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez u bëri thirrje vendeve perëndimore të njohin shtetin palestinez dhe se duhet të fillojnë diskutimet serioze për këtë. Sanchez në hapjen e Konferencës së 8-të të Ambasadorëve në Madrid tha se qeveria spanjolle ka mbajtur të njëjtin qëndrim pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe pushtimit pasues izraelit ndaj Gazës. “Dënuam sulmet e Hamasit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të pengjeve, njohëm të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por i kërkojmë atij të respektojë rregullat e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut dhe t’i japë fund situatës katastrofike humanitare në Gaza”, tha ai. “Rruga e veprimit tani është të sigurohet armëpushim i menjëhershëm dhe i përhershëm dhe të mbahet konferencë ndërkombëtare paqeje pasi të përfundojnë armiqësitë. Me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar duhet të realizohet zgjidhje serioze dhe e besueshme e bazuar në formulën e dy shteteve”, tha Sanchez.