Kryeministrat e Danimarkës dhe Spanjës vizitë në Kiev: Pamë me sytë tanë atë çfarë ka bërë Rusia në Ukrainë

Kryeministrat e Danimarkës dhe Spanjës vizituan sot Kievin, ku takuan Presidentin Volodymyr Zelensky në një gjest mbështetjeje.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi nga Kievi bashkë më homologen e tij daneze, Mette Frederiksen krahë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se Spanja ka dërguar rreth 200 tonë municione dhe furnizime ushtarake në Ukrainë.

Mette Frederiksen tha gjatë të njëjtës konferencë për shtyp se vendi i saj do të rrisë kontributin e tij të armëve në Ukrainë me 600 milionë kurora daneze (87.60 milionë dollarë), dhe se do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë, sepse kjo është ajo që nevojitet më shumë.

“Ne të gjithë kemi parë në mbarë botën raportet dhe imazhet e krimeve të tmerrshme të kryera nga Rusia në Ukrainë, por sot e kemi parë me sytë tanë dhe është zemërthyese”, tha Mette Frederiksen në konferencën për shtyp.

Zyra e Frederiksen tha se bisedimet me Zelensky do të fokusohen në mbështetjen e mëtejshme për ukrainasit dhe ndjekjen penale të “krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut”.

Sanchez tha gjithashtu se Spanja do t’i kërkojë Gjykatës Penale Ndërkombëtare të hetojë krimet e dyshuara të luftës ruse në Ukrainë dhe se planifikon të dërgojë hetues të krimeve të luftës atje./albeu.com