Gazetari Almer Toska, teksa ishte i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, komentoi konferencën e përbashkët të kryeministrit Edi Rama me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Gjatë diskutimit, ai ngriti disa pikëpyetje lidhur me mënyrën se si Bashkimi Europian po i vlerëson zhvillimet e fundit në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Sipas Toskës, gjatë gjithë kohës që ka drejtuar qeverinë, Rama ka shmangur përgjigjet e drejtpërdrejta për problematikat e brendshme, duke i konsideruar ato çështje që nuk ndikojnë në rrugën e integrimit europian.
Gjithashtu, ai tha se kryeministri ka kritikuar opozitën sa herë që kjo e fundit i ka paraqitur problemet e vendit para përfaqësuesve ndërkombëtarë.
“Në kaq vite që është kryeministër, Rama u është shmangur pyetjeve të drejtpërdrejta. I ka quajtur debat të brendshëm që nuk do të ndikojë në integrimin e vendit. Në këtë pikë ka anatemuar edhe opozitën dhe u ka thënë se nuk mund të sulmosh vendin tënd në sy të miqve”, shprehet Toska.
Duke folur për protestat dhe situatën politike në vend, Toska u shpreh se opozita duhet të kuptojë qartë se cili është pozicioni i Bashkimit Europian. Ai vuri në dukje se disa eurodeputetë kanë marrë pjesë në protesta, ndërsa, sipas tij, ende nuk ka pasur një deklaratë të drejtpërdrejtë nga Ursula von der Leyen.
“Opozita duhet të kuptojë sot qëndrimin e BE-së përballë protestave. Eurodeputetë kanë qenë pjesë e protestës, por nuk kemi parë qëndrimin zyrtar të Von der Leyen. Duhet të shohim çfarë do të thotë për sigurinë kombëtare dhe dyshen Agasi-Hyseni, protestat dhe korrupsionin”, deklaroi ai.
Një nga çështjet që Toska tha se do t’ia parashtronte presidentes së Komisionit Europian lidhet me pozicionin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe akuzat e bëra ndaj saj.
“Von der Leyen do ta pyesja nëse BE-ja, që është ajka dhe tavolina e madhe që mbledh shtete me demokraci funksionale, a e pranon Shqipërinë me në kabinet Ballukun, të arrestuar për korrupsion, dhe Rama nuk e lëshon. Ramën do ta pyesja: a mbahet peng nga Balluku”?- u shpreh Toska.
Ai përmendi më tej edhe pretendime për përfshirjen e Ballukut në trafik armësh, duke iu referuar një bisede telefonike që, sipas tij, zëvendëskryeministrja ka zhvilluar me Ron Yeffet.
“Balluku e akuzuar për trafik armësh. Flas për telefonatën e Ballukut dhe Ron Yeffet”, deklaroi Toska.
