Kryebashkiaku ukrainas përshkruan makthin e rrëmbimit të tij: Jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë për rusët

Ishte rreth mesit të marsit kur mediat u vërshuan nga lajmet për rrëmbimin e kryetarit të bashkisë së Melitopol të Ukrainës, Ivan Fedorov nga forcat ruse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zhelensky ka kërkuar lirimin e tij. Kur më në fund u lirua, nuk mund ta besonte se ishte gjallë.

“Kjo është e vërtetë. Kur më rrëmbyen, kuptova se jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë për ushtarët rusë”, tha ai për APE gjatë një vizite në Bruksel. Së bashku me deputetët e parlamentit ukrainas, Olena Homenko dhe Maria Mezedseva folën në Parlamentin Evropian, por edhe në një aktivitet të mbyllur të organizuar nga grupi i ekspertëve GLOBSEC me praninë e disa gazetarëve.

Ja si e përshkruan ai makthin e rrëmbimit:

“Kur më rrëmbyen, kuptova se jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë për ushtarët rusë. Nga një moment në tjetrin mund të më kishin vrarë. Kisha frikë. Kur isha në burg pa asnjë komunikim nuk e dija ku është familja ime, ku janë drejtuesit e mi, si është situata në qytet. Nuk kishte asnjë informacion. Më thanë që shkëmbimi do të bëhej të hënën. Më futën në një makinë ushtarake dhe më thanë: Sot do të bëhet shkëmbimi. I thashë: Shkëlqyeshëm. E pyeta se ku do të bëhej shkëmbimi. Më thanë se do të ishte 80 km nga Melitopolis. E dini, unë kam lindur në Melitopolis, i di të gjitha rrugët, sa kilometra janë, sa rrugë ka. Unë di gjithçka. Kuptova se ndoshta do të shkonim në Zaporizhia. Më së shumti dy orë. Kalojnë dy orë, tre orë. Ndalemi dhe pimë kafe. Katër ore, pesë orë. Ata ndalojnë dhe bëjnë diçka tjetër. Pas pesë orësh shefi i misionit kthehet dhe më thotë: Më falni, por sot nuk është i mundur shkëmbimi. Vendi juaj nuk dëshiron t’ju marrë. Unë pyes: Çfarë? Më thanë: Sa keq. Kthehu në burg. Sigurisht që kjo nuk ishte e vërtetë, sepse qeveria ukrainase nuk dinte asgjë për shkëmbimin të hënën. Ata filluan përgatitjet për shkëmbimin të martën dhe të mërkurën. Por ajo që ndodhi të hënën ishte një luftë psikologjike”, tha Ivan Fedorov për APE-MPE./albeu.com