Kryebashkiaku i Libohovës Leonard Hide paraqitet në SPAK

Mëngjesin e sotëm, kryebashkiaku i Libohovës Leonard Hide, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme. Më 18 Mars 2024, do të mbahej dhe seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme ndaj Hides, i cili akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në kohën kur ka qenë shef krimesh në komisariatin e Gjirokastrës.

Nga ana e tij, SPAK ka përfunduar hetimet dhe kaluar kërkesën për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të kryebashkiakut të Libohovës Leonard Hide dhe disa personave të tjerë mes të cilëve edhe funksionar policor.

Hide dyshohet se në kohën që ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, dyshimet janë se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet, janë implikuar edhe punonjës policie.

Ata kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”.

Në të njëjtën dosje me Hiden, janë edhe disa të pandehur të tjerë. Hide mori mandatin si kryebashkiak i Libohovës, nga zgjedhjet lokale të majit të vitit 2023, ku fitoi me 1401 vota përkundrejt kundërshtarit të tij.


Shtuar 22.05.2024 10:55