Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 2 nëntor se nuk e ka lexuar raportin e Përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, në të cilin thuhet se ekziston rrezik nga shpërbërja e këtij shteti dhe për konflikte reale, por shtoi se ka kuptuar se akuzat kryesore janë kundër Republikës Sërpska, dhe se ky entitet i Bosnjës po dëshiron ta shkatërrojë Marrëveshjen e Dejtonit.
“Të gjithë të tjerët kanë shkelur Marrëveshjen e Dejtonit, jo Republika Sërpska, por unë dua ta lexoj raportin me kujdes”, ka thënë Vuçiq në një fjalim për televizionin Pink, nga Glasgou, ku po mbahet Samiti i Kombeve të Bashkuara për Klimën.
Vuçiq ka thënë se në Glasgou, nuk është takuar me kryetarin e presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhellko Komshiq.
Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt tha se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.
Detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnje aktualisht i ka një forcë e Bashkimit Evropian, e njohur si Eufor, që i ka rreth 700 trupa.
NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë.
Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt tha se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.
“Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë [Marrëveshjen e Dejtonit], ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnje do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale”, citon Guardian përfaqësuesin ndërkombëtar, Schmidt.
Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumice serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Ai po ashtu ka thënë serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe do të rikrijojnë një forcë serbe.
Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.
Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.
Vuçiq ka thënë se synon që në kuvendin e partisë së tij, ta promovojë termin e ri “ambicie kombëtare”, qëllimi i të cilit është që Serbia të jetë më e zhvilluara ekonomikisht në rajon, të ketë paqe dhe të ndërtojë marrëdhënie më të afërta me fqinjët.
Ai po ashtu ka thënë se nuk ka ligj dhe drejtësi ndërkombëtare për serbët.
Sipas tij, Serbia duhet ta kuptojë situatën në botë, dhe se nuk ishte ajo që e hapi kutinë e Pandorës, duke e pranuar shtetësinë e Kosovës, por të tjerët, duke aluduar që këtë gjë e kanë bërë shtetet tjera dhe jo Serbia./ REL