Kriza energjitike në Maqedoninë e Veriut, Bashkësia Islame: Çdo të premte në xhami do të flitet për kursimin e rrymës elektrike

Bashkësia Fetare Islame do të kërkojë nga besimtarët që në periudhën e dimrit të kursejnë energjinë elektrike.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu, i cili u shpreh se do të flasë me të gjitha myftinitë në vend, ndërsa vetë ai u shpreh se çdo të premte do të paraqitet nëpër xhamitë e vendit për të apeluar deri të qytetarët që të kenë kujdes me harxhimin e panevojshëm të energjisë elektrike.

Ky ishte premtimi që kreu i BFI-së, Fetahu, i bëri ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në takimin e përbashkët që patën për krizën energjetike.

“Ne menjëherë do të apelojmë në të gjitha 700 e disa kryesi që kemi në RMV, në 13 myftinitë tona ku ato do të apelojnë tek të gjithë xhamitë e kështu me radhë që me të vërtetë të kenë kujdes. Tek e fundit ai kujdes është edhe për nevojat e xhamisë që të mos harxhojnë buxhetin e tyre që vjen nga besimtarët”, deklaroi Shaqir Fetahu, Kryetar i BFI-së.

Brenda javës ministri Bekteshi pritet të realizojë takim edhe me Kishën Ortodokse Maqedonase. Sipas tij, ndikimi i bashkësive fetare tek qytetarët është i madh, prandaj edhe ka nisur takimet me udhëheqësit e bashkësive fetare.

“Mbështetje e madhe do të jetë çdo mesazh që do të dalë nga ana e BFI-së dhe në të njëjtën kohë mesazhi do të shpërndahet nëpërmjet xhamive deri tek të gjithë besimtarët qofshin shqiptarë, maqedonas, turq apo etni tjetër. Çdo kursim e ndihmon edhe buxhetin familjar dhe në të njëjtën kohë e ndihmon edhe institucionet ne pjesën e uljes së harxhimeve”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Sa i përket kursimit të energjisë nëpër xhami, Fetahu tha se në 24 orë objektet fetare harxhojnë shumë pak sepse këtë e kanë obligim fetar.

“Ne nëpër xhamitë tona duke e ditur se harxhohet ndonjëherë rrymë e madhe, ne shkojmë vetëm aty ku ka nevojë p.sh një pjesë e xhamisë nxehet edhe atë e bëjmë në mënyrë automatike që ajo të ndizet 5 minuta para kryerjes së lutjes deri 10 minuta pas kryerjes së lutjeve nëpër xhami. Kur do ta organizojmë si duhet as 1 orë nuk do të harxhohet nëpër objektet fetare energji elektrike”, tha Fetahu.

Fetahu shtoi gjithashtu se xhamitë harxhojnë pak energji elektrike për shkak se faturat e xhamive paguhen nga vetë besimtarët, ndërsa dhe vetë xhamitë financohen nga buxheti i qytetarëve.

Ndërkohë mbetet për t’u parë se sa do të ndikojë realisht apeli i liderëve fetarë në popullsinë e Maqedonisë së Veriut për kursimin e energjisë elektrike./albeu.com/