Kriza e energjisë, që nisi në fund të verës 2021, edhe pse e lajmëruar nga tregjet, si një efekt anësor i post-pandemisë, nuk arriti të perceptohej plotësisht në shkallëzimin që do të merrte.
Kjo është hera e parë në dekada, që vendet po ndihen të “lodhur” përballë një krize energjie që gllabëron para pa limit dhe askush nuk di të thotë se kur do të jetë fundi dhe kthimi në normalitetin e dikurshëm.
Përfshirja në ekuacionin mjaftueshëm të ndërlikuar të ekonomisë globale, e luftës Rusi-Ukrainë, çoroditi edhe një herë të gjitha tregjet, duke keqësuar më tej krizën e energjisë kur çmimet do të arrinin nivele rekord, të cilat do t’i kalonte në kurriz edhe Shqipëria.
Në vitin 2022, importet ishin rreth 450 milionë euro, kurse vetëm në javën e fundit të nëntorit dhe në dhjetor, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) arriti të çlirohej nga blerjet në tregun e lirë.
Përmirësimi i situatës hidrike në kaskadën e Drinit solli si pasojë që, jo vetëm të prodhohej maksimalisht për të furnizuar vendin, por edhe të shitej në tregun e parregulluar.
Në harkun e një muaji, 22 nëntor deri më 25 dhjetor, KESH arriti të zhvillojë disa procedura për shitjen e energjisë, të cilat i sollën më pas pak lehtësim financiar, i cili, në raport me shpenzimet e vitit për import është sërish një pikë uji në oqean. Por cila është panorama e energjisë dhe çfarë pritet në vitin 2023?
KESH shet rreth 30 milionë euro në treg të lirë, pse parashikohen importe
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare zhvilloi në harkun e një muaji të paktën 10 procedura të shitjes së energjisë. Sasia për shitje lëvrohej në fasha të ndryshme orare, që përfshinin jo vetëm pikun, por edhe ato me çmime më të lira, duke bërë që, sipas kësaj logjike, të ardhurat të jenë të luhatshme.
Në total, KESH arkëtoi nga këto procedura 28.8 milionë euro. Nga ana tjetër, prodhimi maksimal në kaskadën e Drinit nuk do të thotë që Shqipëria nuk mund të importojë në këtë periudhë.
Nëse i referohemi dokumentit që u paraqit në Entin Rregullator të Energjisë për fashën 800 KWh dhe argumentimit të pezullimit të saj, në një tabelë të veçantë parashikoheshin disa skenarë për import, edhe në dhjetor. Skenari bazë parashikonte import 19 milionë euro, një vlerë dukshëm më e ulët se muajt e tjerë që mesatarisht janë luhatur mes 35-57 milionë eurove.
Burime nga KESH sqaruan se importet në tregun e lirë nuk janë një dëshirë e kompanisë në kushtet kur situata hidrike është e mirë, por detyrim. Kjo do të thotë se, në momente të caktuara të ditës, konsumi në vend kalon mundësitë prodhuese në atë fashë, pra, nevoja është më e lartë se prodhimi, ndaj plotësimi bëhet me energjinë e blerë nga tregu i lirë.
Rritja e konsumit përtej kapaciteteve prodhuese ndodh kryesisht në festat e fundvitit, por edhe në rastet e uljes së ndjeshme të temperaturave në janar. Si pasojë, në këta muaj, kur kushtet hidrike janë shumë të mira, importet edhe pse minimale, sërish zënë vend.
“Rezerva hidrike garanton furnizim për të gjithë dimrin”
Pas një periudhe të vështirë me importe, KESH mundi që të marrë disi frymë lirisht në fund të vitit 2022. Falë reshjeve, kaskada e Drinit ka arritur nivele optimale për të prodhuar.
Rritja e ndjeshme e Fierzës, e cila në pjesën më të madhe të vitit ishte nën mesataren historike shumëvjeçare, ka dhënë garanci për një dimër më të qetë në furnizim me energji. Vetë Korporata Elektoenergjetike Shqiptare konfirmon se alternimi me opsione të tjera nuk do të mungojë, dhe në kushtet aktuale, do të ketë energji pa ndërprerje në dimër.
“Rezerva hidrike që kemi sot garanton që për të gjithë dimrin, furnizimi të jetë pa ndërprerje” – konfirmoi KESH. Në çdo rast, mënyra sesi menaxhohet prodhimi, shitjet dhe blerjet në treg të lirë do të varen nga kushtet hidrike të vendit në këtë periudhë.
Kaskada e Drinit menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988. Rregullorja parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës gjatë dy kohëve.
Për Fierzën, për shembull, niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor, në rregullore, është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Në periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.
Pse po dështojnë procedurat e depozitimit të energjisë
Prodhimi me kapacitet të plotë i energjisë në kaskadën e Drinit në disa momente shtron para për KESH, përveç mundësisë së shitjes edhe atë të depozitimit. Procedura ka në thelb dhënien e një sasie të caktuar energjie dhe kthimin e saj në një moment tjetër, që kryesisht nga KESH është kërkuar të jetë vera.
Të paktën tre procedura depozitimi të hapura në fund të vitit 2022 dështuan, duke mos pasur pjesëmarrës nga palë të interesuara. Korporata shpjegon se rritja e rreziqeve në treg është një nga faktorët kryesorë pse këto procedura nuk janë të suksesshme.
Furnizuesit parapëlqejnë transaksione me para, ku edhe fitimin e kanë të sigurt, ndërkohë që depozitimet janë bërë thuajse të paparashikueshme mbi leverdishmërinë që mund të ketë pala e përfshirë.
“Në zbatim të VKM 620, përcaktohet se depozitimi bëhet me koeficient 1:1 pra nëse marr një MWh, atëherë duhet të kthej po 1 MWh. Në këtë kontekst, kjo është e leverdishme për depozituesin, por jo tregtarin.
Tregu i energjisë nga tetori 2021 dhe në vazhdim ka treguar se është i paqëndrueshëm dhe ende nuk dihet se kur do të krijohet një lloj qëndrueshmërie. Depozitimi është praktikë që nuk përfshin shkëmbimin monetar, por tregtari apo shoqëria që do të depozitojë dhe do ta kthejë këtë energji në momentin e rënë dakord, e sheh gjithmonë nga efekti financiar.
Nëse ai e blen sot sasinë e nxjerrë nga KESH dhe e shet me një çmim (X), ai duhet që, energjinë të cilën do ta kthejë në verë, ta sigurojë më lirë për të pasur interes në këtë procedurë. Por sot, në tregje ka shumë pasiguri dhe nuk ka më garanci që transaksioni që po kryen do të jetë i leverdishëm.
Përveç kësaj, janë rritur kostot e kapaciteteve, të cilat edhe ato janë bërë të paqëndrueshme. Kjo do të thotë se, pavarësisht sa merret energjia në bursë, ka kosto shtesë për transmetimin që ndryshon. E gjitha kjo e bën depozitimin një transaksion me rrezik të lartë.
Ne jemi të interesuar që energjinë që depozitojmë sot ta marrim në verë dhe, edhe pse ka periudha qetësie në bursë, askush s’di të thotë se çfarë do të ndodhë në verë.
Tregu është bërë shumë i paparashikueshëm, pasi janë grupuar një sërë aspektesh që nga mbyllja e TEC-eve në Europë te lufta Rusi-Ukrainë apo luhatshmëria e prodhimit nga burimet e tjera”, – sqaron KESH.
Por çfarë ndodh me energjinë e destinuar për depozitim, e cila nuk arrin të kalojë me sukses si procedurë.
Kjo sasi energjie mbetet në rezervë dhe Korporatës i duhet të tregohet e kujdesshme me mënyrën si e menaxhon nivelin në kaskadë, pasi duhet të ruhen parametrat.
Nëse në janar, për shembull, Fierza arrin në nivelin 293 metra dhe ndodh ndonjë situatë e papritur (reshje të shumta shiu) atëherë merr përparësi siguria në digë, duke kaluar deri në shkarkime.
Ndërkohë, shitja e kësaj sasie energjie të prodhuar në shumë raste rezulton jo me përfitime të mëdha për shkak të mënyrës se si veprojnë aktorët e tregut veprojnë.
Kjo nënkupton sipas KESH, që çmimin e vendos tregu, por nëse tregtarët e dinë që ti po prodhon dhe nuk ke ku ta çosh, atëherë oferta e tyre mbetet tejet e lirë. Mbi çmimin e energjisë që të ofrojnë tregtarët shtojnë kostot e transmetimit dhe fitimin e tyre dhe totali duhet të jetë poshtë bursës, që të ketë leverdishmëri, në të kundërt nuk shihet me interes.
Bursa e Energjisë, fillimi i punës shtyhet pas 3-mujorit të parë 2023
Bursa e Energjisë, që më herët u deklarua se do të niste funksionimin më 23 nëntor 2022, do të shtyhet edhe për pak muaj. Kjo lidhet më shumë me kalimin e të gjitha hallkave të nevojshme për krijimin e kushteve të funksionimit, ku së pari mbeten për t’u miratuar rregullat e tregut nga Enti Rregullator i Energjisë.
Në mbledhjen e datës 27 dhjetor, Bordi ka parashikuar në diskutim vendimin “Për miratimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike (Rregullat, përkufizimet,
procedura e tregtimit, si dhe procedura e klerimit dhe shlyerjes) të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX sh.a”.
Burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thanë se shtyrja e datës së funksionimit të bursës lidhet me krijimin e kushteve të përshtatshme për të nisur aktivitetin.
Kjo do të thotë që, fillimisht, duhet të bëhen gati të gjitha kushtet në mënyrë që pjesëmarrësit në të, të dinë mënyrën e funksionimit, leverdishmërinë që kanë nga kjo mundësi e re, por edhe të jenë të interesuar për të qenë pjesë e saj. “Hapja e një burse, pa pasur palë të interesuara për të tregtuar në të, nuk ka vlerë”, – pohuan të njëjtat burime.
Aktualisht Bursa Shqiptare e Energjisë ka deklaruar se po kalon një fazë trajnimesh me palët e tregut dhe me miratimin e rregullave që pritet që të bëhen nga Enti Rregullator i Energjisë hapet rruga edhe për fillimin e regjistrimeve.
“Miratimi i rregullave duhet të bëhet nga dy Borde, ai rregullator i yni, dhe ai i Kosovës. Në bazë të kësaj bëhet më pas legjitim fillimi i regjistrimeve. Ka shumë rëndësi që nga trajnimi që po zhvillohet, anëtarët të jenë të kënaqur me funksionimin e bursës. Kur ka një numër të caktuar anëtarësh që kanë interes për bursën, atëherë edhe data e funksionimit të saj merr rëndësi.
Ne besojmë që, deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2023 do të arrijmë në konkluzionin për të dalë me një datë zyrtare. Gjithçka do të jetë konsoliduar edhe me trajnimet dhe do jenë bërë dhe regjistrimet për t’i hapur rrugë procesit”, – thanë burimet nga MIE.
Bursa e energjisë është një nga projektet më të zvarritur të sektorit dhe arsyet u janë faturuar situatave të ndryshme. Në jo pak raste, vonesa e bursës është bërë objekt kritikash i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë apo edhe aktorëve të tregut, të cilët e cilësojnë funksionimin e saj jetik në rritjen e transparencës dhe konkurrencës.
Bursa e Energjisë konsiderohet një hallkë e rëndësishme edhe për momentin ku ndodhet aktualisht tregu i energjisë, ku pas liberalizimit të bizneseve të lidhur në tension 35 kv në vitin 2018, në janar 2022, në treg të lirë ligjërisht kanë dalë edhe 7600 biznese të lidhur në tension 20,10,6 kv, por që për shkak të krizës, liberalizimi i tyre është i pjesshëm, duke u furnizuar me një çmim preferencial prej 18.2 lekësh.
Kriza, merren “në mbrojtje” bizneset në 35 kwh, blihet energji për 12 muaj
Në vitin 2018, kur bizneset në tension 35 kv dolën në treg të lirë, pati rezistencë të hapur ndaj kësaj nisme, duke këmbëngulur që të qëndronin në tregun e rregulluar.
Bizneset ndiheshin të pasigurt për procedurat që duhet të zhvillonin, por edhe për faktin se sigurimi i sasisë së nevojshme të energjisë me çmim të mirë shihej i pamundur. Në disa raste, për shkak të konsumit jo domethënës, bizneset në tension 35 kilovolt nuk shiheshin as si grup atraktiv për furnizuesit, për t’u bërë oferta të leverdishme.
Duke ju dhënë dy vite kohë për të gjetur furnizues, më 31 dhjetor 2019, këto biznese u nxorën “me dhunë” në treg të lirë dhe çuditërisht, pavarësisht vështirësive, një pjesë e mirë u përshtatën shpejt me tregun dhe sigurimin e energjisë. Madje, nga viti në vit, ato nisën të siguronin kontrata me çmime më të favorshme energjie sesa ato në tregun e rregulluar.
Në vitin 2020, bizneset kishin kontrata me çmime 8 lekë/kwh. Pikën e kthesës e bëri fillimi i krizës në vitin 2021, kur çmimet u rritën shpejt dhe bizneset në treg të lirë u gjendën përballë tarifave stratosferike. Fillimisht, këto çmime ishin ende të përballueshme, ndërsa thellimi i krizës edhe nga lufta Rusi-Ukrainë, e vështirësoi situatën.
Çmimet mesatare arritën në 45-60 lekë/kwh në periudhat më të vështira, teksa në Bursën e Hungarisë, çmimi më i lartë u arrit në gusht me 130 lekë/kwh. Bizneset e grupit 35 kilovolt në disa raste nuk arritën të siguronin as sasi për të mbajtur në aktivitet fabrikat, gjë e cila u nënvizua edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në takimin me bizneset, në fund të vitit të shkuar, ajo konfirmoi se tashmë bizneset në 35 kilovolt do të merren në “mbrojtje” me çmime më të mira se ato të tregut, falë një lëvizje të bërë brenda kompanive publike, duke mos cenuar procesin e liberalizimit. Balluku shpjegoi se KESH ka hyrë në garë për të ofruar energji për 12 muaj, në një procedurë të çelur nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group.
FTL njoftoi se në datën 23.12.2022 u realizua ankandi i blerjes së energjisë elektrike për nevojat e furnizimit të klientëve të lidhura në rrjetin 35 kV, në periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023.
“Procedura u zhvillua nëpërmjet platformës online, tërësisht transparente nga ku ju dërgua ftesa të gjithë operatorëve të regjistruar në sistem.
Me mbylljen e ankandit u sigurua sasia 61,320 MWh, me çmim mesatar 240.00 euro/MWh dhe vlerë totale 14,716,800 euro (pa TVSH). Në procedurë morën pjesë 7 pjesëmarrës dhe fituese ishte shoqëria KESH Sh.a”, njoftoi FTL
Ky çmim është afërsisht 34 lekë/kwh me TVSH për të gjithë klientët që sot furnizohen nga FTL dhe janë në tension 35 kv. Sipas të dhënave të fundit zyrtare, në janar nga FTL po furnizohen 36 biznese, një pjesë tjetër po furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, si dhe furnizues privatë. Gjithsej në rrjet janë 65 biznese të lidhura në këtë nivel tensioni.
Mbetet e paqartë çfarë ndodh me bizneset që aktualisht kanë furnizues privat, të cilat mund të konsiderojnë më me leverdi furnizuesin publik, pasi për këtë duhet të kishin bërë kërkesën para procedurës së Furnizuesit të Tregut të Lirë. Në çdo rast, kur kërkohet furnizimi nga kompanitë publike, burime të kompanisë thanë se merren në analizë faktorët e tjerë dhe më pas, një vendim.
Bizneset në tension 20, 10, 6 kv do të mbështeten deri në fund të emergjencës
Qeveria po mban nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani, në çmime preferenciale, bizneset e lidhura në tension të mesëm. Këto çmime janë 70% më të larta sesa çmimet që kishte më parë biznesi në tension 20, 10 apo 6 kv, por më të ulëta sesa çmimet në tregun e lirë.
Në një takim me bizneset, MIE konfirmoi se do të vijojë që bizneset në tension të mesëm të mbahen me çmime preferenciale 18.2 lekë apo 19.6 lekë për kilovat/orë, sipas nivelit të tensionit deri në fund të gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji. Kjo gjendje e vendosur në tetor të vitit 2021 është parashikuar që të zgjasë deri në mes të këtij viti.
Mbrojtja u vendos për të parandaluar pasojat sociale që do të kishte ndërprerja e punës së bizneseve. Parashikimet në tregjet e huaja janë se do të ketë një ulje të lehtë të çmimeve. Sipas qeverisë, funksionimi i Bursës së Energjisë, që kërkohet me ngulm nga bizneset, do ta bëjë të pashmangshëm nxjerrjen e plotë në tregun e parregulluar të të gjithë bizneseve në tension të mesëm.
Fotovoltaikët pritet të vazhdojnë me vrullin, por efektet do të ndihen pas vitit 2023
Operatorët e fotovoltaikëve në vend shprehen për rritje të vazhdueshme të interesit nga biznesi për instalimin e impianteve fotovoltaikë për vetëkonsum.
Të parët në këtë listë interesi janë bizneset e lidhur në tension 20,10,6 kv, të cilët duhet të dilnin në treg të lirë nga janari 2022, por aktualisht po furnizohen me çmim preferencial 18.2 lekë, për shkak të krizës. Këta të fundit po mbahen me një çmim më të lartë se më parë, por më të ulët sesa çmimi i tregut duke u furnizuar nga një kontratë që KESH ka me OSHEE Group.
Interes për investimet në energji ka pasur edhe nga kompani private, të cilat po e shohin të leverdishëm sektorin e fotovoltaikëve. Kompanitë e fotovoltaikëve raportojnë se interesi në rritje deri më tani është përballuar me sukses nga operatorët, por edhe në këtë fushë, si kudo, po ndihet presioni i forcës punëtore. Instalatorët pohojnë se është bërë gjithmonë e më e vështirë për të zgjeruar stafin, teksa edhe logjistika dhe transporti i paneleve ka pasur sfidat e veta, ku porositë në avancë janë mënyra me të cilën po operohet.
Lidhur me ndikimin e fotovoltaikëve në totalin e sektorit të energjisë dhe asaj që quhet diverisfikim, operatorët pohojnë se ende kapaciteti i instaluar është modest, por zbatimi i disa projekteve të rëndësishëm pritet të japë efekt real, sidomos pas vitit 2023, kur të ketë projekte të përfunduar.
Viti 2023 parashikohet të jetë po kaq dinamik në investimet e fotovoltaikëve, i nxitur nga premtimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë se në ligjin “Për burimet e rinovueshme” të rishikuar, do të aplikohet bilanci vjetor. Derisa të hyjë në fuqi ky “premtim”, si fillim duhet të miratohet draft-ligji, që ende nuk ka kaluar në hallkat e nevojshme. /Monitor