Kriza, Basha: Në verë u zbarz kaskada e Drinit, tani marrin borxh për të blerë energji

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar.

Basha ka folur në lidhje me krizën, ku tha se nuk është krizë energjitike, por krizë korrupsioni, duke shtuar se në verë është zbarzuar kaskada e Drinit duke u shitur me 1/ 3 e çmimit dhe tashmë marrin borxh për ta blerë.

“Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës. Jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur në vend janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike por me një krizë korrupsioni. Ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia, pasuria hidrike e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Që ta blejnë do iu duhet të marrin borxh, borxhin do e nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve. Kjo është arsye pse është krizë korrupsioni. Në një vend normal, me institucione normale sot nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht tek drejtuesit famëkeq, nga Çela i Durrësit etj, do duhej të ishin të pandehur. Ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit në fundjavë, por të bëjnë detyrat e tyre, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Për ne do të vazhdojë kjo javë me një ofensivë që do ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare, sepse kjo krizë korrupsioni po përkthehet në një krizë për familjet”, tha Basha./albeu.com


Shtuar 11.10.2021 14:21