Deputeti i PD Ferdinand Xhaferaj në Komisionin për Sigurinë Kombëtare ka ngritur disa problematika për burgjet. “Mbipopullimi, orkestrimi i ngjarjeve kriminale nga burgu, kushtet e vështira në burgje”, këto janë disa nga problematikat e nënvizuara nga Xhaferaj për të cilat kërkoi përgjigje nga drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.
“Nisur nga prezantimi juaj, ju e ndatë në blloqe problemin, që janë kushtet e të burgosurve dhe mbipopullimi. Shqetësuese gjithashtu është se një pjesë e ngjarjeve kriminale orkestrohen nga brenda burgjeve dhe kjo ka të bëjë me një problematikë të nivelit të sigurisë. Kushtet e të burgosurve dhe nivel i sigurisë, janë 2 problematika. Ju në këtë projektbuxhet në vitin 2022 a e keni parë që të adresoni kanë para për zgjidhjen e këtyre problemeve. E para punonjësit që shërbejnë në burgje a do kenë ndonjë përfitim, benefit? E dyta lidhur me nivelin e sigurisë, a keni evidentuar ndonjë problematikë që ka ndodhur ngjarja dhe me kaq lekë, ne do e zgjidhim këtë problem, a keni një gjë konkrete?”, deklaroi Xhaferaj.
Ismaili tha se problemi i mbipopullimit në burgje është zgjidhur. Problematika e vetme për drejtorin e burgjeve është në një institut në Krujë ku trajtohen shtetasit me masë mjekësore. Në këtë institucion që e quan “gangrenë” Ismaili thotë se ka mbipopullim, por kjo është një çështje që do i kalojë ministrisë së Shëndetësisë.
“Jam i kënaqur për pyetjen që të kem mundësi për të shpjeguar më teknikisht. Së pari problemi i mbipopullimit në burgje është i zgjidhur në masën 100%. Ka vetëm 1 problem për shtetasit me masë mjekësore që i trajtojmë ne ende, ka një institut të posaçëm që është në Krujë që do mbyllet shpejt, aty ka mbipopullim, por ata smund të trajtohen dikur tjetër veçse aty, kemi marrë masa për ta zgjidhur. Nuk është spital i burgut, ai është spital për persona me probleme të shëndetit mendor. Pra persona që janë me masë mjekësore. Kjo çështje do i kalojë ministrisë së shëndetësisë por kjo faza tranzitore për ta marrë ata ende ska kaluar. Kjo ka qenë gangrena, një problem i mbartur ndër vite, aty ka mbipopullim dhe mungesë standardesh, por është problem i ditur dhe që do marrë zgjidhje”, tha Ismaili.
Drejtori i burgjeve e ka pranuar se janë orkestruar disa ngjarje kriminale nga burgu, por kjo sipas tij ka ndodhur më parë sepse tani janë marrë masa.
“Po është e vërtetë që ka patur probleme serioze në lidhje me këtë gjë, organizatat kriminale në burg kanë vazhduar thjesht kanë pasur rezidencë, kanë qenë në hapësirë gjeografike të kufizuar dhë liri mendimi dhe veprimi. Por ky realitet i përket të kaluarës sepse si kanë më ato komoditete, as kushte”, shtoi ai./abcnews.al/