Krimet zgjedhore, kryeprokurori Çela: Shumë shpejt do të kemi rezultate

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, pas një takimi në Prokurorinë e Fierit, ku u diskutua për hetimin e krimeve zgjedhore dhe hetimet pasurore, ka dhënë një deklaratë për media.

“Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e hetimit të krimeve zgjedhore nga Prokuroria e Fierit. Janë disa takime që po bëhen në lidhje me krimet zgjedhore. Është e rëndësishme që të tregohet kujdes maksimal nga prokurorët për hetimin e plotë e të shpejtë, si dhe për të treguar transparencë. Arsyeja e dytë ka të bëjë më hetimet pasurore dhe evazionin fiskal, funksionimi i një seksioni të posaçëm që Prokuroria e Fierit ka për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal, për rritje të efikasitetit për evazionin dhe ligjin anti-mafia. Janë të rëndësishme rezultatet në këtë drejtim, pasi ka shumë kërkesa nga ndërkombëtarët për luftën ndaj pastrimit të parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha kryeprokurori.

Në lidhje me krimet zgjedhore, Çela tha se “Ka pasur një numër çështjesh të hetuara, apo që është marrë tashmë një hetim. Shumë shpejt do të kemi rezultate, që do të bëhen të ditura. Është e rëndësishme që të tregohet transparencë”./albeu.com


Shtuar 17.05.2021 12:10