Krerët e diplomacisë së BE-së mblidhen në Luksemburg, në tryezë edhe situata Kosovë-Serbi

Këshilli i Ministrave në kuadër të Bashkimit Evropian, do të diskutojë sot edhe për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, në Luksemburg.

Në takimin, i cili ka nisur në orën 08:30, do të diskutohet për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.

“Sipas çështjeve aktuale, Këshilli do të prekë, ndër të tjera, situatën mes Serbisë dhe Kosovës, Kinën dhe Sahelin”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se pas incidenteve të dhunshme që u zhvillua më 24 shtator në veri të Kosovës, BE-ja u ka kërkuar të dyja palëve të kontribuojnë urgjentisht në de-përshkallëzimin dhe kthimin në zbatimin e detyrimeve të tyre të pazgjidhura që dalin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kujtojmë se të shtunën pesëshja diplomatike e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së qëndroi për vizitë në Prishtinë dhe Beograd, pas agresionit të grupit kriminal serb me datën 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, për media u deklarua emisari special i BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjera.

Lajçak bëri thirrje që sulmi të hetohet plotësisht dhe sulmuesit të përballen me pasojat, teksa shtoi ndaj dialogut s’ka alternativë, pasi i njëjti sjell normalizim të marrëdhënieve.

Pjesë e takimit me Kurtin ishin edhe emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.


Shtuar 23.10.2023 09:13