Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet ditën e sotme, pasi drejtësia greke i përcolli ministrisë sonë të Drejtësisë vendimin që fakton se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka qenë i dënuar nga Gjykata e Janinës.
Hajdari në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar.
KQZ do të vendosë sot nëse kryebashkiaku do të shkarkohet apo do të vijojë të qëndrojë në detyrë.
Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.
Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.
Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme.
Tashmë i takon KQZ-së që në mbledhjen e caktuar për të martën në mesditë, të vlerësojë nëse këto të dhëna përfshihen në kufizimet e ligjit të dekriminalizimit çka mund edhe të rrezikojnë që kryebashkiaku të shkarkohet.
Gjithashtu, do të pritet edhe nëse prokuroria do të nisë apo jo një hetim për “falsifikim të formularit të vetëdeklarimit”
Ndërkohë, në Shqipëri, Kreshnik Hajdari nuk rezulton të jetë i dënuar dhe as të ketë ndryshuar emrin, sipas shkresave zyrtare nga Gjendja Civile dhe drejtoria e Burgjeve.
/albeu.com