“KPK dhe KPA po promovojnë njerëz me probleme me ligjin” Klodiana Lala: Vettingashet e kompromentuar dhe detyra e SPAK

Nga Klodiana Lala

Etleda Çiftja, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është marrë e pandehur nga SPAK për akuzat e deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Gjyqtarja e shkallës së parë të Vettingut pritet të përballet me drejtësinë, por më herët sipas ligjit ajo duhet të pezullohet nga detyra. Kjo ende nuk ka ndodhur, për arsye të paqarta. Sepse qëndrimi i saj në detyrën e anëtares së KPK-së ndërkohë që është e pandehur kompromenton.

Çdo vendimmarrje të saj dhe mund të përbëjë shkak që gjyqtarë e prokurorë ta shfrytëzojnë këtë në KPA, për të rrëzuar vendimet e shkarkimit. Ndërsa për Çifjtan ka një vendimmarrje nga ana e SPAK, për një tjetër anëtar të KPK-së, Lulzim Hamitaj vijojnë hetimet. Prokuroria e Posaçme e ka thirrur dy herë në pyetje gjyqtarin e shkallës së parë të vettingut dhe ai rrezikon seriozisht të vihet nën akuzë.

Gjasat që kjo të ndodhë janë të mëdha, sikurse e madhe është mundësia që KPK të hyjë në ngërç. Përtej emrave konkretë, shqetësimi më madhor është sesi këta emra, por edhe ata të KPA, Luan Daci (i dënuar tashmë) dhe Ardian Hajdari (i pandehurit për dy akuza) kanë mundur të kalojnë filtrate e kontrollit për t’u bërë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të Reformës së Drejtësi; atyre që kanë detyrë të pastrojnë sistemin nga gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, të paaftë apo të lidhur me krimin.

Krahas gjyqtarëve dy shkallëve të Vettingut, sot SPAK duhet të hetojë dhe njerëzit që e vetuan Çiftjan dhe të ngjashmit e saj, pasi ata nuk e kanë përmbushur detyrën, duke lejuar që në KPK dhe KPA të promovohen njerëz me probleme ligjore.

Ky mendoj duhet të jetë fokusi më shumë sesa emra konkretë që vijnë e ikin. Sepse vetëm në këtë mënyrë në të ardhmen, mund të garantohen procese transparente dhe të pakompromentuara./albeu.com

Marrë nga Facebook-u i autores


Shtuar 5.06.2022 16:11