Kovaçevski: VMRO dhe e Majta janë kundër anëtarësimit në BE

Autoritetet kanë paralajmëruar një debat publik për ndryshimet kushtetuese që janë parakusht, që Shkupi dhe Brukseli të hapin kapitujt e negociatave pas përfundimit të skriningut këtë vjeshtë.

Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, tha se janë duke vazhduar konsultimet në nivel ekspertësh për përmbajtjen e draft tekstit të ndryshimeve kushtetuese, por paralajmëroi edhe debate me shoqërinë civile, biznesin dhe komunitetin akademik. Në këto debate, përveç përmbajtjes, do të diskutohet edhe rëndësia politike dhe ekonomike e ndryshimit të Kushtetutës.

“Rëndësia politike është shumë më e madhe se ndryshimet kushtetuese të një pjese të Preambulës, dhe një amendamenti për Komisionin për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve. Këto amendamente kushtetuese kanë kuptimin e një drite jeshile praktike nga ana jonë, nga Kuvendi ynë për të vazhduar negociatat me Bashkimin Evropian”, u shpreh Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Mariçiq thotë se pas përfundimit të këtyre seancave publike do të futen ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, nga ana tjetër, u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të tregojnë konstruktivitet dhe unitet dhe të marrin vendimet me të cilat do të ballafaqohen pa marrë parasysh përkatësinë partiake.

“Nga ana tjetër, ekziston koncepti i partive politike, këtu para së gjithash kam parasysh partinë E majta dhe pengun e tyre VMRO-DPMNE, të cilat janë kundër anëtarësimit në NATO, të cilin e kanë konfirmuar në deklaratat e tyre publike dhe kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që unë e konsideroj koncept të gabuar”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Mariçiq bën të ditur se skriningu po bëhet sipas dinamikës së paraparë, andaj pret që ndryshimet kushtetuese të votohen deri në nëntor të këtij viti. Ndryshe, sipas vlerësimeve, procesi i ndryshimit të Kushtetutës zgjat rreth katër muaj. /Alsat/


Shtuar 18.01.2023 17:26