“Kosova të mos vazhdojë me gjobat”, SHBA thirrje urgjente

“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”.

Kështu deklaroi më 9 nëntor në një takim me gazetarë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Deklaratat e ambasadorit amerikan vijnë disa ditë pasi zyrtarët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – njoftuan se serbët e veriut do të largohen nga institucionet e drejtësisë, të rendit, komunale, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor zbatimin e një plani për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe – gjë që u kundërshtua nga shumica e serbëve lokalë dhe nga Beogradi zyrtar.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ky plan të shtyhet për dhjetë muaj, por kjo kërkesë u refuzua.Tensionet në veri “për shkak të planit franko-gjerman”.

Kryeministri Kurti akuzoi më 7 nëntor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri dhe tha se kjo po bëhet për shkak të, siç u shpreh, refuzimit të planit franko-gjerman nga pala serbe. Ky plan, siç është raportuar, parasheh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Kurtit, Vuçiç është duke i përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës për destabilizim.

Për Kosovën, sipas Kurtit, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. “Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël – që ata thonë se është 1 për qind – do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi.

Vuçiçka thënë muajin e kaluar se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit të shpejtë të saj në BE.

Kërkesa dhe “refuzimi” për formimin e Asociacionit.

BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje që Kosova të bëjë hapa drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e këtij asociacioni në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Kurti ka deklaruar disa herë që është kundër formimit të një asociacioni një etnik. Serbia, në anën tjetër, insiston që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive./REL


Shtuar 9.11.2022 18:42