Kosova dhe rajoni i Ballkanit në qendër të strategjisë së NATO-s, aleanca paralajmëron për rreziqet nga Rusia

Stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor dhe misioni i KFOR-it në Kosovë vazhdojnë të jenë prioritet strategjik për Aleancën Veri-Atlantike, sipas raportit vjetor për aktivitetet e NATO-s, të cilin të enjten në Bruksel e prezantoi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte.

Raporti, që shqyrton aktivitetet e NATO-s gjatë vitit të kaluar, thekson mbështetjen e vazhdueshme të Aleancës për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Procesi, siç nënvizohet, lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe konsiderohet çelësi për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon.

Të lidhura

None found

“NATO vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, posaçërisht përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili është çelësi për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon,” theksohet në raport.

Përmes misionit të saj KFOR në Kosovë, NATO ka mandat për të siguruar një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në vend. Raporti gjithashtu analizon rreziqet për sigurinë e Aleancës, duke identifikuar Rusinë si kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë.

“Rusia mbetet kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë në zonën euroatlantike. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është përpjekur të vërë në provë sigurinë tonë dhe të sfidojë shoqëritë tona, qoftë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktiviteteve kibernetike të dëmshme, apo ndërhyrjeve politike dhe kërcënimeve informative. Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të pamatura, qoftë nga Rusia apo aktorë të tjerë, ka qenë e qartë, e shpejtë dhe vendimtare,” thekson raporti.

Sekretari i Përgjithshëm Rutte nënvizoi se ndjenja e rrezikut nga Rusia ka shtyrë Aleancën të rrisë në mënyrë dramatike investimet në mbrojtje.

Sipas tij, shpenzimet për mbrojtje kanë shënuar një rritje prej 20 për qind, duke treguar se vendet anëtare janë në rrugën e duhur për të arritur planin që investimet në mbrojtje të kapin nivelin prej 5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Kjo kërkesë ishte e parashtruar nga Shtetet e Bashkuara dhe është miratuar në samitin e fundit të NATO-s në Hagë të Holandës, gjatë verës së vitit të kaluar.

Megjithatë, raporti paralajmëron se, në rast të një sulmi të Rusisë ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, ekziston mundësia që prioritet të jenë objektet e infrastrukturës energjetike.

Rutte gjithsesi garantoi se Aleanca është e përgatitur për të mbrojtur secilin prej anëtarëve të saj dhe për të reaguar ndaj çdo kërcënimi të drejtpërdrejtë.

Ky raport vjetor konfirmon rëndësinë strategjike që NATO i jep Ballkanit Perëndimor dhe nënvizon rolin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, duke e vendosur dialogun Beograd-Prishtinë në qendër të politikës së stabilitetit rajonal.


Shtuar 26.03.2026 19:21