Kosova 14 vjet shtet, Meta letër Osmanit: Mirënjohje të gjithë vizionarëve dhe heronjve që luftuan e sakrifikuan

Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologes së tij Vjosa Osmani.

Ndërsa i shpreh mirënjohje për të gjithë vizionarët dhe heronjtë që luftuan e sakrifikuan, Meta shton se është i lumtur që Kosova është kthyer në një kontribuese aktive të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Letra e Metës:

E nderuara Zonja Presidente, Shkëlqesia Juaj, Vjosa Osmani – Sadriu,

Kremtimi i 14-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më jep kënaqësinë shumë të veçantë që t’Ju shpreh, në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të përzemërta e vëllazërore.

Ju uroj Juve personalisht, autoriteteve shtetërore si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Mirënjohje të gjithë vizionarëve dhe heronjve që luftuan, sakrifikuan dhe punuan për Kosovën e pavarur!

Jam i lumtur të konstatoj se Kosova është kthyer në një kontribuese aktive të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë, sikundër jam i sigurt se kjo ditë e shënuar do të frymëzojë më shumë përpjekje, më shumë unitet dhe më shumë devotshmëri për të vijuar në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore, për një Kosovë më të begatë dhe europiane.

Arritjet e shtetit të Kosovës në drejtim të demokracisë, zgjedhjeve të lira, funksionimit të institucioneve të pavarura dhe mirëqeverisjes, janë mbresëlënëse dhe një shembull pozitiv për tu ndjekur.

Vullneti i përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe evropiane, na angazhojnë të punojmë më shumë në të gjitha rrafshet.

Si President i Republikës së Shqipërisë do të vazhdoj të jem përkrahës i vendosur për thellimin e partneritetit tonë të shkëlqyer.

Duke ju uruar edhe një herë sa më shumë përparim, suksese dhe integrim të plotë europian dhe euro-atlantik, lutem, pranoni e nderuara Presidente, sigurimet e konsideratës sime të lartë.


Shtuar 17.02.2022 10:28