Policia ka arrestuar të shumëkërkurin Alfred Mikelin. i cili ishte në kërkim kombëtar pasi Gjykata në vitin 2018 e ka dënuar me 10 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me vendimin e datës 06.01.2022, ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Last move”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.
Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last move”.
Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Qerret, Kavajë, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit:
– Alfred Mikeli, 45 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, me vendimin e datës 18.12.2018, e ka dënuar me 10 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me vendimin e datës 06.01.2022, ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Alfred Mikeli, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shuma parash, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe dy aparate celulare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kush është Aldred Mikeli dhe si i korruptoi policët me 10 mijë euro?
I shumëkërkuari Alfred Mikeli, prej 4 vitesh i është arratisur drejtësisë. Mosarrestimi i tij ka qenë çështje parash. Ai u ka dhënë 10 mijë euro, dy policëve që po e arrestonin, në këmbim të lirisë
Afera korruptive prej 10 mijë euro është verifikuar nga SHCBA. I kërkuari për trafik droge u lokalizua nga agjentët Viktor Buca dhe Gëzim Luka që pas katër ditëve shërbim raportuan se nuk kishte asnjë gjurmë të tij. Por ndërkohë ata nisën pazaret me të.
45-vjeçari i shumëkërkuar nga policia po kalonte pushimet verore në qytetin e Durrësit pa rënë në sy nga autoritetet. E megjithatë ai ishte pikasur nga informatorët e efektivëve që janë nën hetim.
Të dënuarit me 8 vjet burgim iu kontrollua banesa ku jetonte me qira dhe gjatë negocimit agjentët i propozuan ta paguante lirinë. SPAK përmend se i shumëkërkuari iu është lutur duke ju treguar se kishte mundësi t’u paguante direkt vetëm 1500 euro. Por dy të akuzuarit kanë këmbëngulur 10 mijë euro ” pasi sipas tyre 5 mijë euro ishin për shefin dhe pesë për ta”.
SPAK u vu në dijeni nga miku i të shumëkërkuarit i cili i huazoi atij shumën që i nevojitej.
Shtetasi që është dëshmitar në hetime përmend se pas kësaj me një BMV, me targa të paregjistruara, oficerët u larguan drejt Tiranës ku do të merrej. 10 mijë euroshi është paguar në afërsi të një hoteli.
Me rëndësi të veçantë konsiderohet edhe dëshmia e bashkëshortes së të Mikelit që shpjegon se burri i saj u ndalua pasi dolën xhiro dhe dy persona e ndaluan në kohën që ai mbante fëmijën në krahë.
Në hetime përmendet dhe marrja në pyetje e zyrtareve të policisë së Durrësit, pasi është verifikuar nëse ka pasur apo jo plan masash për arrestimin e Mikelit.
Njëri nga policët që del të ketë hapur Tims-in gjate kësaj periudhe pranon që ia kërkuan kolegët si nder, pasi donin të shikonin kush ishte Alfred Mikeli.
Por në fakt ndonëse qytetari Koleci kërkoi që çështja të mos hetohej, pas saj doli një aferë korruptive.