Korrupsion dhe trukim ndeshjesh, GJKKO lë në burg prokurorin dhe 4 të tjerë

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg prokurorin e Sarandës, Sali Hasa pasi ky i fundit u arrestua me urdhër të SPAK si i përfshirë në korrupsion.

Arrest shtëpie është vendosur për zyrtarin e klubit të futbollit Përmeti, Bledar Hajredinaj.

Sipas asaj që shkruan News24, Hasa është nën akuzë pasi ka shpëtuar nga ndjekja penale Erjon Miranin, një prej 6 personave të arrestuar disa ditë më parë.

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për:

Napolon Hodaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.

Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 – 25 i Kodit Penal.

GJKKO ka konfirmuar masën “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.

Kurse ndaj shtetasit Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal.


Shtuar 21.06.2021 16:31