Korrik – shtator, kostot e ndërtimit të banesave u rritën me 7.2%, por çmimet disafish më shumë

Kostot e ndërtimit të banesave pësuan rritje vjetore me 7.2% në tremujorin e tretë të vitit 2022, raportoi sot INSTAT. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 15,5%, pasuar nga grupet, “Shpenzime materiale” me 8,0%, “Kosto të tjera” me 7,9%, “Shpenzime për paga” me 4,6%, “Shpenzime makinerie” me 4,4% dhe “Shpenzime transporti” me 2,3%.

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënuan rritjen më të lartë me 8,8%, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 8,2% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 6,2%.

Ndryshimet tremujore të grupeve kryesore: indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 1,5%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022.

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale” me 2,1%, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga”, “Shpenzime makinerie”, “Shpenzime energjie” me 1,4% secila, “Shpenzime transporti” dhe “Kosto të tjera” përkatësisht me 0,7% secila.

Sakaq çmimet e banesave në gjysmën e parë të vitit janë rritur disa herë më shumë se kostot.

Sipas indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit i 2022 është rritur me 28.4% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij.

Në raport me periudhën bazë, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%.

Rritja e 6-mujorit të parë të vitit u përcaktua sidomos nga rritja e vëllimit të shitjeve të kryera në zonën e Tiranës, e cila përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit. indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet regjistroi një rritje prej 28.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe rreth 40% ndaj një viti më parë.

Sipas agjentëve, rritja e çmimeve ka ardhur nga rritja e kërkesës dhe e kostove të ndërtimit.

Pritjet për të ardhmen paraqiten pozitive pavarësisht pasigurive të lidhura me situatën e përgjithshme ekonomike. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet).

Në parashikimet e tyre, agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare.

 

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT