Koreja e Veriut lëshon satelitin spiun, Tokio dhe Seuli në alarm për sigurinë

Koreja e Veriut është rikthyer të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi pak para orës 15:00 (me orën lokale në Shqipëri) Pheniani lëshoi një satelit spiun.

Regjimi i Koresë së Veriut u kishte komunikuar fillimisht autoriteteve japoneze se sateliti mund të lëshohej nga mesnata e së mërkurës se 22 nëntorit deri në 30 nëntor.

Por pasi në Phenian duket se kanë ndryshuar planin, autoritet në Tokio janë alarmuar dhe u kanë kërkuar banorëve të ishullit Okinaëa të futeshin në strehimore.

Reagim të menjëhershëm ka pasur edhe nga Koreja e Jugut. Seuli zyrtar ka kërcënuar se do të merrte “masat e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e popullsisë“, pa specifikuar se cilat do të ishin ato.

Lëshimi i një sateliti spiun nga Veriu tregon për një garë midis dy Koreve, pasi edhe Jugu po përgatitet të nisë në orbitë satelitin e saj të parë, tërësisht të zhvilluar brenda vendit.

Nisja e satelitit nga Seuli është planifikuar për në 30 nëntor, në një raketë SpaceX Falcon 9 nga baza Vandenberg në Kaliforni.

Prej vitesh Këshilli i Sigurimit i OKB ka përfshirë lëshimet satelitore në listën e aktiviteteve të ndaluara për Korenë e Veriut , sepse i konsideron ato si një mbulesë për testet e raketave ndërkontinentale.

Pheniani ka tentuar tashmë dy herë të vendosë një satelit spiun në orbitë, por tentativat kanë dështuar. Dështimi i parë daton në 31 maj të këtij viti, kur raketa e re Chollima-1 që duhej të çonte në orbitë satelitin Malligyong-1 u rrëzua në Detin e Verdhë. Më 24 gusht dështoi faza e dytë, me “vëllezërit” nga Jugu që gjetën rrënojat e satelitit.

Lëshimi i një sateliti nga Pheniani vjen dy muaj pas vizitës së Kim jong un në Rusi, ku Putin e priti në Kozmodromin Vostochny dhe premtoi se do të ndihmonte Korenë e Veriut të realizonte ëndrrën e saj për t’u bërë një fuqi hapësinore me satelitë në orbitë.

“Kjo është arsyeja pse ne erdhëm këtu, pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut është shumë i interesuar për teknologjinë e raketave”, tha kreu i Kremlinit.

Sakaq, Uashingtoni dhe Seuli dyshojnë se “Marshalli” dhe “Cari” ranë dakord për një shkëmbim: municione të Koresë së Veriut për artilerinë ruse të angazhuar në Ukrainë në këmbim të teknologjisë hapësinore.


Shtuar 21.11.2023 20:29