Kongresi i PS/ Rama i drejtohet studentes: Një ditë do ta drejtosh ti Partinë Socialiste

Kryeministri i vendit Edi Rama, gjatë Kongresit të partisë që ai drejton, u shpreh i surprizuar nga fjalimi i studentes 19-vjeçare në hapje të mbledhjes.

Ai tha se shpesh bën parashikime për mandatet që do të marrin në zgjedhje, dhe shpesh është i saktë, ndërsa tha se i lejon vetes të parashikojë që një ditë në krye të PS do të jetë 19-vjeçarja Elena Kace.

“E dashur Elena, e ndoqa me vëmendje fjalën tënde dhe u surprizova nga fjalimi përballë audiencës, bëre vetëm një lapsus që the paga minimale është 900 euro, kur është 400, ishte impresionuese.

Zakonisht bëj parashikime për rezultatin e zgjedhjeve, po i lejoj vetes një parashikim që koha do ta tregojë, ti me shumë gjasë do të jesh një ditë këtu ku jam unë, udhëheqëse e PS.

Me këtë që të thash sapo të hapa një problem sepse do kesh shumë sy që nuk do të shohin me dashamirësi, por ky është favori i parë që po të bën partia, sepse kush nuk ka shumë kundërshtarë nuk arrin në majë.

Do kem dëshmitar Pandi Majkon kur të mos jemi më këtu se Pandi është i vetmi i pavdekshëm që kemi këtu, që do dëshmojë se çfarë thashë. Se kush e di se sa do të ketë përcjellë në Sharrë apo Tufinë se është edhe mik me Lali Erin dhe ua gjen varret aty ku do”, tha Rama.


Shtuar 28.07.2024 14:09