Kompania ajrore, Air Moldova, ka njoftuar se do të rinisë fluturimet për në Moskë, pas shtatë muajsh pezullim. Kjo kompani kombëtare tha nëpërmjet një njoftimi më 9 shtator se po rinisë fluturimet “për shkak të kërkesave të shumta nga qytetarët e Republikës së Moldavisë, të cilët gjenden në Federatën Ruse dhe duan të kthehen në shtëpi”. Kompania Air Moldova tha se pandemia e koronairusit dhe pezullimi i fluturimeve për në Moskë kishin “krijuar vështirësi, me të cilat janë përballur çdo ditë qindra pasagjerë”, përfshirë edhe ata që kanë pasur emergjenca shëndetësore.
Kjo kompani ajrore kishte pezulluar fluturimet për në Moskë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit. Lufta kundër Ukrainës shtyri Parlamentin moldav që përkohësisht të mbyllte hapësirën ajrore të shtetit pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.