Takimi brenda selisë së PD-së Berat, sot ishte i hapur për demokratët.
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka zhvilluar sot një mbledhje me anëtarësinë e Partisë Demokratike në Berat.
Ndryshe nga herët e tjera, mbledhja u zhvilluar brenda selisë së PD-së Berat, dyert e të cilës ishin të hapura sot për demokratët.
Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura e që zgjati 60 minuta, u diskutua me demokratët në lidhje me çeljen e proçesit zgjedhor në të gjitha nivelet deri në nivel kryetar dege, në të 71 degët e Partisë Demokratike në të gjithë vendin.
Në përfundim të mbledhjes, drejtuesi i saj, Belind Këlliçi e ka cilësuar këtë proçes si një proçes të shumëpritur në Partinë Demokratike, për t’u bërë gati në përballjen elektorale më të shpejtë me qeverinë dhe Edi Ramën.
Këlliçi u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve që aspirojnë të kenë një karrierë në Partinë Demokratike,që të vijnë të bashkohen dhe të bëhen pjesë e këtij proçesi të jashtëzakonshëm, që-sipas Këlliçit-do ta riorganizojë,do ta rivitalizojë por edhe do ta rifreskojë mbi të gjitha Partinë Demokratike në çdo cep të saj.
Fjala e plotë e Belind Këlliçit.
“Në një mbledhje të degës së Partisë Demokratike Berat u diskutua udhëzimi nr.3,i datës 10 Janar 2022, të Komisionit të Përkohshëm të rithemelit të Partisë Demokratike, në lidhje me çeljen e proçesit zgjedhor në të gjitha nivelet deri në nivel kryetar dege, në të 71 degët e Partisë Demokratike në të gjithë vendin. Ky është një proçes që ka nisur nga data 10 Janar dhe do të përfundojë në 15 Shkurt.
Është një proçes i shumëpritur në Partinë Demokratike, për shkak se demokratët me zor kanë pritur rifreskimi e strukturave, për tu bërë gati në përballjen elektorale më të shpejtë me qeverinë dhe Edi Ramën. Interesi i anëtarësisë së demokratëve për të marrë pjesë në këtë takim ka qënë i madh dhe gjithçka shkoi në mënyrë krejt normale.
Kur nuk ka dyer të blinduara dhe bunkerizim të selive të Partive Demokratike,demokratët dinë të operojnë, siç kanë ditur në këto 31-vite,në mënyrë paqësore, njerëzore dhe demokratike.
I drejtoj një thirrje të gjithë demokratëve por mbi të gjitha të rinjve, që duan dhe aspirojnë të kenë një karrierë në Partinë Demokratike, të vijnë të bashkohen me ne dhe të bëhen pjesë e këtij proçesi të jashtëzakonshëm,që do ta riorganizojë, do ta rivitalizojë por edhe do ta rifreskojë mbi të gjitha Partinë Demokratike në çdo cep të saj. Armiku ynë dhe kundërshtari politik është një dhe vetëm një, ai quhet Edi Rama dhe përballë do të na ketë Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë tradhtuar misionin e të qënurit në opozitë dhe sot i shërbejnë Edi Ramës”-ka thënë Belind Këlliçi nga Berati. /albeu.com/