Kokainë dhe municione luftarake, Policia zbulon detaje nga aksioni “blic” me 3 të arrestuar në Elbasan

Mbrëmjen e djeshme Policia ka blinduar një banesë në Elbasan dhe ka vënë në pranga tre persona.

Operacioni “Bulevardi” ka shkatërruar një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë.

Hetimet kanë zgjatur 5 muaj ndërsa operacioni është  zhvilluar nga DVP Elbasan dhe FNSH, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Njoftimi i Plotë

Vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe 4 aparate celular.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të grumbulluara gjatë hetimit 5-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, në bashkëpunim me FNSH dhe Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u godit një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë, në qytetin e Elbasanit.

Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit:

G. M., 34 vjeç, H. H., 44 vjeç dhe S. S., 54 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. S. u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, një sasi fishkësh dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe në ngarkim të shtetasit S. S., edhe për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.


Shtuar 24.03.2021 10:56