“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar”, Vjosa Osmani: Vuçiç po kërcënon Kosovën me ide hegjemoniste

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në fjalimin e mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës  tha se institucionet janë të vendosura për të krijuar siguri në çdo cep të Kosovës ndërsa veriu mbetet sfidë.

Vjosa Osmani: “Bandave kriminale nuk ju pëlqen vendosmëria e institucioneve dhe as zbatimi i ligjit në territorin  vendit por mbi të gjitha nuk ju pëlqen lufta kundër krimit e korrupsionit por ta kenë të qartë që kjo është një rrugë nga e cila nuk devijojmë dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë.  Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetutes të Republikës së Kosovës dhe frikësimin e kërcënimet që ua bëjnë qytetarët tanë.”

Në fjalimin e fundvitit Osmani përcolli dhe një mesazh presidentit të Serbisë Vuçiç lidhur me këkesën e tij për prezencën e ushtrisë serbe.

Vjosa Osmani:“Jemi dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim së fundmi është shpërfaqur përmes idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por Serbia dhe udhëheqësi Vuçiç e di mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund njëherë e përgjithmonë më 12 qershor 1999. Kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi genocidal i tyre.”

Tërhoqi dhe vëmendjen tek politika e jashtme e cila tashmë nuk është më për ndryshim kufijsh dhe as flirtim me Serbinë e Rusinë.

Vjosa Osmani:”Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive më kuptimplote e të koodinuar. Natyrisht kjo politikë e jsahtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe jo në interesa të ngushta individuale e shpeshherë të paligjshme po u pengon disave, jo vetëm në Serbi por dhe jashtë saj. Kosova nuk ka politikë të jashtme po thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Por po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani.

“Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh. Nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda individuale.  Nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të përcaktuar . Nuk ka flirtime me Serbinë e Rusinë me qëllim të interesave individuale. Nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar një herë e përgjithmonë”

Sfidat e politikës së jashtme natyrisht që janë të panumërta sepse gabimet kanë qenë të mëdha. Ne duhet të riparojmë këto dëme hap pas hapi me durim e vision të qartë.”